×
Opinione

Një 7-vjeçare iku nga kjo botë për fajin tonë. Deti shqiptar, një xhungël në dorë të banditëve

Reporteri
03 Gusht 2022 | 17:11

Autor: Blendi Fevziu


Një familje nuk do ta shohë më kurrë vajzën 7-vjeçare. Nuk do zgjohet në mëngjes me buzëqeshjen e saj. Nuk do ti thotë “Natën e mirë shpirt”.

Nuk do ulen as bashkë në tavolinën e drekës dhe as do shohin TV. Një familje është gjymtuar sot duke humbur engjëllin e saj 7-vjeçar. Çdo njeri qe është prind, por edhe çdo qenie njerëzore qe funksionon realisht si e tillë e di se çfarë dhimbje është kjo.

Fëmija iku nga kjo botë, atë moment kur familja besonte se po i jepte asaj gëzim. Po pushonin ne Shqipëri, në atdhe, kthyer me gjasë nga emigracioni. Po i tregonin bukuritë e vendlindjes se saj dhe me siguri ishin të lumtur që po e bënin këtë.

Deri atë moment kur vajza mori goditjen fatale e me siguri, prindërit e saj do mallkojnë veten gjithë jetën që zgjodhën ti bëjnë pushimet ne atdhe.

Nuk i di rrethanat e aksidentit dhe nuk merrem dot me to pa pasur më shumë detaje. Por e di shumë mire që kjo është një nga historitë e paralajmëruar çdo ditë. Që prej më shumë se 15 vitesh flas çdo sezon personalisht me ministrat e Brendshëm dhe drejtorët e policisë i trembur nga kjo barbari. Si notar dhe zhytës i përditshëm jam i tmerruar nga imazhet që shoh.

Deti shqiptar është një xhungël ku ligjin nuk e bën as policia, as pushteti lokal as ministria e turizmit, as marina dhe askush tjetër. E bëjnë banditë dhe trafikantë që pasi parkojnë makinat luksoze dhe të pajustfikuara tërbojnë plazhet me performancen e jet skive dhe janë bërë tmerri i pushuesve.

E bëjnë fëmijët e biznesmenëve të papërgjegjshëm që nuk e kuptojnë se me paratë e tyre mund t’ju blejnë fëmijëve të mira materiale, por jo të drejtën për të nëpërkëmbur dinjitetin e pushuesve të tjerë.

E bëjnë laca me zinxhirë floriri që ngrenë zërin në kupë të qiellit nga gomonet e shtrenjta dhe derdhin shampanjë, duke mos lënë askënd të qetë pak metra më tutje ne breg. E bëjnë ata që sot bllokohen nga policia e nesër nxirren nga gjykata duke i lenë policët që kanë zbatuar ligjin si guakë.

E bëjnë skafistet që mbushin skafet plot me pushues dhe fluturojnë pa asnjë masë sigurie, madje pa veshur edhe fëmijët e vegjël me jelekë sigurimi. Ka vite që jet skite janë tmerr në gjithë bregdetin shqiptar. Nuk janë atraksion turistik fitimprurës, por rrezik permanent. Dhe nuk ndalohen si ne gjysmën e Europës sepse i prishin rehatin 15 banditëve dhe fëmijëve të llastuar.

Vetëm kaq. Ka me dhjetëra detaje të tilla, por s’kanë asnjë vlerë të përmenden sot. Sepse sot, një vajzë 7-vjeccare nuk jeton më. Sot iku nga kjo bote për fajin tonë. Te gjithëve bashke. Sot jemi të gjithë me të. Nesër do dalë një histori tjetër. Siç ka ndodhur me çdo gjë.

Dhe ne do merremi me historinë e re. Por dy prindërit e saj, do jetojnë gjithë jetën me dhimbjen dhe pengun që e deshën kaq shumë Shqipërinë. Sa i dhanë edhe vajzën. U prehsh në paqe shpirt i bardhë!

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!