×
Opinione

Nuk ka Qeveri të Kosovës, Qeveria është e Vetëvendosjes

Reporteri
29 Mars 2020 | 11:24

Autor: Adil Behramaj


Albin Kurti ka vendosur një monopol të mirëfilltë në vendimmarrjen e Qeverisë dhe e ka kthyer atë në Qeveri njëpartiake. Edhe pse i shkarkuar nga shumica absolute, ai nuk e ka ndërmend ta pranojë këtë vullnet të përfaqësuesve të popullit në Kuvendin e Kosovës. Ai synon të mbetet në krye të Qeverisë, duke refuzuar çdo procedurë të paraparë kushtetuese dhe ligjore, për emërimin e një Qeverie të re.


Të mërkurën, më 25 mars, mesnata ende nuk kishte rënë kur ai dhe Qeveria e tij u shkarkuan me votën e 82 deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Dy të tretat e parlamentit i dhanë goditjen e fundit për politikën dhe qeverisjen e papërgjegjshme.

Një orë më vonë, kur sapo ishte delegjitimuar, ai vendosi kontrollin 100 për qind mbi Qeverinë e Kosovës, duke e kthyer atë de fakto në një Qeveri njëpartiake në demokracinë parlamentare të Kosovës.

Kështu Albin Kurti iu përgjigj votës së shumicës absolute të deputetëve. Ai u tall dhe e përbuzi demokracinë parlamentare në Kosovë. Tash edhe pse i shkarkuar nga shumica absolute pas vetëm 51 ditësh në pushtet, ai nuk e ka ndërmend ta pranojë këtë vullnet të përfaqësuesve të popullit në Kuvendin e Kosovës, me legjitimitet shumë më të madh në zgjedhjet e 6 tetorit se vetë Albin Kurti.

Ai synon të mbetet në krye të Qeverisë, duke refuzuar çdo procedurë të paraparë kushtetuese dhe ligjore, për emërimin e një Qeverie të re.

Gati e ka edhe planin. Po dëshiron të jetë Kryeministër i Qeverisë Moniste deri në zgjedhjet e reja parlamentare, të cilat synon të mbahen me të kaluar kriza e pandemisë Covid-19 në Kosovë. Në ndërkohë, ai dëshiron ta përdorë të gjithë infrastrukturën qeveritare, që të krijojë rrethana të favorshme për t’i fituar ato. Por, plani i tij nuk përfundon me kaq, sepse ai ka menduar edhe për Vjosa Osmanin. Asaj ia dëshiron marrjen e plotë të kontrollit mbi LDK-në, që ky subjekt politik të mund të ishte një motërzim i Lëvizjes Vetëvendosje, duke e bërë atë një partnere sa për sy e faqe, sa për kriter formal të demokracisë në të cilën nuk beson fare Albin Kurti.

Kësaj joshjeje i kishte paraprirë edhe dëshira e zjarrtë e Vjosa Osmanit për ta marrë lidershipin e LDK-së, por që pafuqia e saj u dëshmua edhe gjatë votëbesimit që rrëzoi Qeverinë Kurti, duke mos mundur t’i kontrollojë më shumë se dy deputetë brenda subjektit të saj. Ky ishte tregues i forcës reale të saj, e cila mund të jetë elokuente, por është shumë deficitare kah aftësitë e lidershipit për t’i bërë njerëzit të ngarendin pas saj.

Por, teksa skena politike dhe opinioni publik në dhjetë ditët e fundit u mor me lëmshin politik dhe qeverisës të krijuar prej tij, kryeministri i shkarkuar arriti pavërejtur ta ndryshonte në mënyrë thelbësore përbërjen e Qeverisë së tij.

Kur ishte votuar në Kuvend më 3 shkurt, me përkrahjen e 66 deputetëve apo 16 më pak se numri i atyre që votuan për rrëzimin e tij, përbërja e Qeverisë Kurti ishte me 8 përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje, përfshirë këtu edhe vetë kryeministrin, 7 përfaqësues të LDK-së, 2 të komunitetit serb dhe 1 të komunitetit boshnjak.

Në këtë mënyrë ishte krijuar baraspesha politike, që ishte parim bazë i LDK-së së Isa Mustafës, kur dihej edhe rezultati i zgjedhjeve, ku Vetëvendosje mori 29 mandate dhe LDK-ja 28 sosh. Pra, me diferencë vetëm një mandat deputeti, që në këtë rast bëhet fjalë për mandatin e Mimoza Kusarit, e cila si duket nuk po ndjehet mirë si pjesë e tyre, pasi që po ankohet pse nuk po ftohet në emër të Alternativës për konsultime të nevojshme.

Në orët e hershme të 26 marsit, pas shkarkimit të zëvendëskryeministrit Avdullah Hoti, rreth një javë pasi që ishte shkarkuar edhe ministri Agim Veliu nga radhët i LDK-së, i cili ishte zëvendësuar nga Xhelal Sveçla i Vetëvendosjes dhe jo nga Bajram Gecaj i LDK-së, përbërja e Qeverisë së Kosovës kishte pësuar ndryshim shumë substancial. Tash i kemi 17 anëtarë të kabinetit Kurti, ku 9 prej tyre janë nga Vetëvendosje, 5 nga LDK, 2 nga komuniteti serb dhe 1 nga komuniteti boshnjak.

Pra, Lëvizja Vetëvendosje nga 26 marsi ka një shumicë absolute në Qeverinë e Kosovës dhe kryeministri i shkarkuar objektivisht mund të bëjë çfarë të dojë sa i përket vendimmarrjes së ekzekutivit.

Ai tashmë ka vendosur një monopol të mirëfilltë edhe në vendimmarrjen e Qeverisë dhe realisht e ka kthyer atë në Qeveri njëpartiake.

Kjo është e vërteta teknike dhe politike me zhvillimet në Qeverinë e Kosovës.

Kjo Qeveri pra, me përbërjen aktuale është falsifikim i vullnetit të qytetarëve të Kosovës të shprehur në zgjedhjet e 6 tetorit. Albin Kurti e ka uzurpuar pushtetin e plotë në këtë Qeveri me vetëm 26.2% të votave.

Diçka e tillë është e paprecedent në historinë e demokracisë parlamentare në Kosovë.

Dhe, ai tashmë po abuzon me të madhe me pushtetin edhe në emër të LDK-së.

Kurse, kjo e fundit, për ta ruajtur namin e partisë shtetformuese dhe institucionaliste, me gjasë nuk e ka ndërmend të dalë nga kjo Qeveri, përkundër që tani roli i saj është fare simbolik dhe përkundër që Albin Kurti e ka vrarë edhe iluzionin se kjo Qeveri ishte partneritet midis dy partive që fituan më së shumti vota në zgjedhjet e fundit.

Realiteti i njëmendtë se kjo Qeveri de fakto është njëpartiake mund të shpërfaqet edhe më shumë ditëve të ardhshme. Por, të gjitha partitë tjera shqiptare, parlamentare dhe joparlamentare, duhet të jenë të gatshme që ta mbrojnë demokracinë me të gjitha mjetet kushtetuese, ligjore dhe politike kundër një kryeministri të shkarkuar që synon ta instalojë monizmin në Kosovë.

Një Qeveri e re duhet të krijohet sa më parë në Kosovë, jo vetëm si epilog i natyrshëm i rrëzimit të kësaj Qeverie në Kuvendin e Kosovës, por edhe si garantuese e demokracisë në Republikën e Kosovës.

*(Autori është këshilltar politik i presidentit Thaçi. Qëndrimet e shprehura janë personale.)

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!