×
Opinione

Rënia (I)

Reporteri
08 Gusht 2021 | 13:52

Autor: Afrim Kasolli


Të gjitha fitoret dhe ngritjet mund të jenë të njëllojta në entuziazmin që ngjallin. Kurse secila humbje dhe rënie mund të dallojnë nga njëra tjetra në fatkeqësinë dhe pasojat dramatike që prodhon. Natyrisht, disa nga ato mund te jenë tragjike. Madje edhe të fisme. Shndërrohen në burim të sensibilitetit artistik. Dhe e nxisin mëshirën e publikut me mynxyrat, sakrificat dhe vuajtjet e heroit apo viktimës. Solidaritetin me krusmën dhe rënien e tij. Identifikimin moral të shoqërisë me fatin e tij dhe jo të fitimtarit.


Veprat dramaturgjike antike, por jo vetëm ato, sot e kësaj dite e magjepsin dhe gudulisin njerëzimin për shkak të pasqyrimit që i kanë bërë situatave tragjike.

Përmbajta e tyre të shtangon me mënyrën se si janë portretizuar këto aksione fatale. Është kjo veprimtari ajo ku, më shumë se askund tjetër, shpërfaqet tensioni dhe përçarja ndërmjet “etikës së bindjeve dhe pasojave të veprimeve”.

Këtë konflikt në mënyrë gjeniale e ka interpretuar Hegeli në ligjëratat e tij mbi Estetikën. Në veprën e njohur “Aesthetics-Lectures on Fine Art” ky filozof i pashoq në historinë moderne, tregon se si heroi tragjik i universit shpirtëror letrar grek shpeshherë është viktimë e veprimeve të bëra në mënyrë të pavetëdijshme dhe të paqëllimshme.

Me aktin e tij ai pa qëllim e ka shkelur atë forcë morale dhe atë rend etik që në vetvete ka vlerë sublime dhe të shenjtë në sytë tij. E ka dhunuar atë që duhej adhuruar. Dhe kur vetëdijesohet për mëkatin e pavetëdijshëm, pushtohet nga tensioni dhe përçarja e brendshme. Ky antagonizëm e formëson bazën e konfliktit në karakterin e heroit. Si rast konkret të kësaj çarjeje Hegeli e konsideron Edipin. Sepse ishte ky personazh tragjik i dramave të Sofokliut, i cili në dyluftim e sipër e vret të atin, pa e ditur se kush është ai. Kurse pas hyrjes në qytetin e Tebës ai martohet me nënën e tij dhe fronëzohet si mbret. Mirëpo, kur Edipi ndërgjegjësohet se kurora mbretërore që gëzon e mbart helmin e krimit të llahtarshëm të atëvrasjes dhe incestit, e ndëshkon vetën me verbim.

Si shembull tjetër të kësaj krijimtarie Hegeli e analizon edhe dramën jetësore të Antigonës, e cila është shkruar nga i njëjti autor. Por në këtë rast konflikti shpërthen nga përplasja e dy forcave antagoniste, që po të përdorim një gjuhë të sotme juridike, janë njëlloj “legjitime”. Kreoni që e mbron rendin politik dhe Antigona sferën private familjare. Secili prej këtyre personazheve e jetësojnë atë që janë të thirrur ta bëjnë. Ata me aksionet e tyre edhe tregojnë se kush janë. E tillë është bota e karaktereve tragjike. Atë e karakterizon formimi i njëanshëm moral, etik dhe personal. Antigona revoltohet kundër dekretit të Kreonit që e shndërron trupin e vëllait të saj të vdekur në mish për korbat.

Ky vendim është i papranueshëm për Antigonen. E, kjo dramë, sipas Hegelit, pasqyron përçarjen shoqërore greke. Ndarjen strikte ndërmjet sferës së polisit edhe asaj të familjes. Secili e mbron atë që beson se duhet ta mbrojë. Dhe po ashtu secili e prodhon shkatërrimin e tjetrit pikërisht nga kjo përplasje e dy të drejtave. Paradoksalisht këto transgresione individuale janë në funksion të mbrojtjes së të drejtës dhe rendit që i ushqen ato.

Sidoqoftë, si shembull konkret historik të kësaj kundërthënieje të çuditshme Hegeli e veçon rastin e Sokratit. Për filozofin gjerman, dënimi me vdekje i Sokratit nga rendi demokratik i Athinës ishte një vdekje tipike tragjike. Si në ligjëratat mbi “Historinë e Filozofisë” apo ato mbi “Filozofinë e Historisë”, Hegeli mbron pandehmë n, se fati i filozofit të vjetër antik ishte vërtet tragjik, jo në sensin banal të fjalës ku çdo fund fatkeq jemi të prirur ta quajmë si të tillë.

Por karakteri tragjik i kësaj ngjarjeje derivon nga fakti se dy principe (apo pushtete siç preferon t’i quajë Hegeli) njësoj moralisht valide u konfrontuan me njëra tjetrën. Dhe të dy anët, pos që e vuajnë humbjen, po ashtu në mënyrë reciproke mund t’i justifikojnë moralisht pretendimet e tyre. Njëri princip mplkeset me atë që mund ta “quajmë në mënyrë abstrakte liri objektive”, vullnetin kolektiv ku banonte rendi politik i Athinës. Kurse tjetri e afirmon të “drejtën e tij ‘hyjnore’ vetëdijen ose lirinë subjektive, pra frytin e pemës së Njohjes së të mirës dhe të ligës, mendjen vetë-krijuese, principin universal të të gjitha fazave të mëvonshme në zhvillimin e filozofisë”. Ky ishte fati tragjik i Sokratit. Përqafimi i vdekjes në altarin e vetë-njohjes. Një fund pa mëdyshje madhështor. Dhe një ngjarje që shënon një “kthesë historiko botërore”. Ishte parimi i “Njohjes (Knowledge) që e prodhon Rënien (Fall), por që e mbart në vetvete edhe forcën e Ringritjes dhe Ringjalljes (Redemtion)”. Kjo edhe ishte arsyeja që ajo që për të tjerët ishte shkatërrim, për Sokratin, për shkak se ky proces e përmban principin e Njohjes, shënon gjithashtu edhe mundësinë e rigjenerimit (healing).

Këto përsiatje estetike të këtij mendimtari që e gëzon një vend sipëran në panteonin e historisë së filozofisë perëndimore na tregojnë më qartë se asgjë tjetër për dallimin që ekziston ndërmjet modelit tragjik të rënies dhe formave tjera neveritëse dhe të hirta të cilat do të pasqyrohen në vijim të këtij shkrimi. Na tregon se si heronjtë tragjikë edhe në rënie mbesin mbushëllues. Ata s’bëjnë kompromis me parimet e tyre. Me moralin që e përfaqësojnë apo idetë që mbrojnë. Sjellja e tyre nuk kushtëzohet nga intrigat e çastit. Nuk e kërkojnë mbijetesën me metoda bizare. Por e ndjekin deri në fund atë që duhet ta ndjekin. Sepse i tillë është karakteri i tyre dhe nuk mund të jetë ndryshe, për dallim nga rëniet banale që manifestohen kryesisht në jetën ditore politike.

Pakti me zhgabonjën

Sidoqoftë, rroposjet individuale dhe me pasoja humneruese për shpirtin njerëzor askush nuk i ka përshkruar më mirë se sa shkrimtari ynë i njohur Ismail Kadare në veprën e tij “Shkaba”. Kumti i këtij romani vazhdon të mbetet rrëqethës dhe drithërues. Aty pasqyrohet fundi aksidental i Maksit dhe përpëlitjet e tij të vazhdueshme për ta rifituar jetën e humbur. Pra për t’u ringritur nga humnera mbi sipërfaqe. Dhe për ta tejkaluar me çdo kusht zgavrimin gërryes që e ka pushtuar dhe molisur nga gjendje e re e fundbotshme.

Mirëpo, mjerisht vorbulla e tepozhtëzës bëhet gjithnjë e më magnetike. Madje, siç e thotë edhe vetë shkrimtari i madh, në sajimin e kësaj vepre ai ishte ndikuar nga miti mesjetar “Qerosi në botën e poshtme”. Në librin “Ftesë ne studio” Ismail kadare tregon për trandjen që e kishte përjetuar nga ky rrëfim mitologjik dhe për ngashënjimin që e kishte ndjerë për t’u rikthyer te motivet e vjetra.

Ky krijim sa i “thjeshtë po aq madhështor” bën fjalë për një “qeros që një natë rrëzohet në një vrimë dhe bie në botën e poshtme”. Ai fillimisht jeton në atë botë, por me kalimin e kohës e pushton malli për tu rikthyer përsëri lart. Mirëpo ky mision i duket i pamundur. Vërtitet kot andej këndej. Në fund një plak e këshillon se ç’duhet të bëjë. “Është një zhgabonjë” i thotë plaku “ që mund të të çojë atje, veçse rruga e ngjitjes është e largët dhe zhgabonja gjatë gjithë fluturimit duhet të ushqehet me mish” Qerosi pajtohet me kushtet dhe bën pakt me zhgabonjën. Fatkeqësisht fluturimi zgjat më shumë se ç’pandehej dhe mishi që e kishte rezervuar Qerosi mbaron. Kështu “Qerosi është i detyruar që të pres copa të mishit nga trupi i tij për ta ushqyer zhgabonjën, përndryshe ajo do ta lëshojë drejt skëterrës. Kjo përsëritet shume herë. Dhe kur Qerosi mbërrin në botën e sipërme mund të përfytyrohet se çka ndodhur, “ai nuk është veçse një skelet në krahët e një zhgabonje dhe njerëzit që e shikojnë këtë skelet thërrasin: shikoni një të vdekur në krahët e një shkabe”. Prandaj thotë Kadare, “është e vështirë të gjendet një strukturë më e përshtatshme për të dhënë dramën e njeriut që për t’u ngjitur nga fatkeqësia ku ka rënë është i gatshëm për gjithçka (ndoshta edhe për krim). Duke e shfrytëzuar këtë thesar mitologjik, gjeniu ynë i letrave e pasqyron kategorinë e të përjashtuarave, të internuarve dhe të deklasuarve që e kishte prodhuar ish-sistemi totalitar. Për mënyrën se si pikërisht kjo shtresë e katandisur në humnerë, pa shpresë për jetën dhe e rrënuar moralisht, psikologjikisht dhe shpirtërisht, do ishte në gjendje të pajtohej me çdo gjë vetëm për të dalë nga jeta e hirnosur dhe për të shlyer “mëkatet ideologjike”. Ishte kjo një strategji makabre që e shndërronte edhe viktimën në fajtor dhe përgjegjës të krimeve. (vijon…)

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!