×
Opinione

Rezultatet në Mal të Zi, teste dhe mundësi për rajonin

Reporteri
02 Shtator 2020 | 16:36

Autor: Anton Berisha


Pyetja retorike e ministrit të jashtëm të Serbisë z. Dacic, bërë presidentit malazez Gjukanoviq: “se pse të pengon trekëndëshi serbomadh Beograd-Banjallukë-Podgoricë, e nuk të pengon katërkëndëshi shqiptaromadh: Tiranë, Prishtinë, Shkup, Podgoricë”, në fakt shpërfaq betejën e vazhdueshme në Ballkan, në qëllimet e dominimit serb në këto hapësira, e tash në një kontekst ndërkombëtar ndryshe, këto qëllime duke i arsyetuar me prezencën e ideve shqiptaromëdha.


Në fakt, Dacic ishte më konkret edhe sa i përket ankesave të presidentit malazez për ndërhyrjen serbe, duke kërkuar prova për deklarata të presidentit Vucic apo shtetarëve të tjerë serb, e njëkohësisht përmendi politikanët shqiptar nga Shqipëria e Kosova që kishin ndërhyrë publikisht në procesin zgjedhor.

Serbia, në këtë kontekst veproi mençurisht, aktive përmes faktorit të brendshëm serb, qytetarëve dhe kishës, arriti të mobilizoj në masë si asnjeherë më parë përderisa në aspektin institucional ishte e kujdesshme për të mos dhënë fakte provuese.

Për dallim, Shqipëria e Kosova, bënë të kundërtën. Në vend që të punonin për të faktorizuar qytetarët shqiptarë atje, që të rrisin ndikimin e tyre, ata u përkujdesën për vetfaktorizimn e tyre për kinse rolin ndikues përtej shteteve të tyre. Dërgimi i ministrave të jashtëm, jo vetëm që ishte pa takt diplomatik ashtu sic ishin edhe këshillat pothuajse urdhërore se si duhet votuar, ngase së pari tregonin paternalizmin politik, ngushtonin hapësirën e faktorizimit të brendshëm duke ua marrë autoritetin vendimarrës. Rezultatet treguan, vetëm përkeqësim të situatës edhe për faktin se autoriteti personal i ministrave të papërvojë dhe pa autoritet të duhur personal nuk kishin si të ndikonin për të bindur kënd.

Vazhdimi i retorikës prej anës tonë, duke u kufizuar në konceptin nacional, në një përqindje të papërfillshme votash dhe sulmet ndaj përfaqësuesit të konceptit qytetar, që në fakt është fituesi kryesor I zgjedhjeve në Mal të Zi, e që për koincidencë apo jo, është me origjinë shqiptare, z. Dritan Abazovic, tregon shkurtpamësin e politikës dhe qasjes tonë.

Analiza objektive e rezultateve në Mal të Zi, tregon se beteja në vite ndërmjet bllokut pro pavarësisë dhe shtetësisë dhe bllokut proserb tash më është tejkaluar. Mali i Zi, duke u bërë anëtar i NATO-s, vetvetiu ka zhvendosur sigurinë e saj nga politika e brendshme në ndërkombëtare dhe rrjedhimisht askush nuk e ka më fuqinë politike të brendshme të jetë garancioni apo shkatërruesi i shtetit.

Tash, hyhet në periudhën e transformit demokratik dhe institucional për marrjen e detyrimeve në procesin integrues europian, që rrjedhimisht kërkon zhvendosjen e konceptit nacional kah koncepti qytetar në të cilin model sundimi i ligjit, ekonomia e tregut, garantimi i lirive dhe të drejtave të qytetarëve kanë përparësi ndaj modeleve të vjetra që janë përcjellur me probleme serioze.

Në këtë situatë nuk shohë asnjë mundësi që partitë proserbe të mund të ndryshojnë agjendën e shtetësisë së Malit të Zi, përkundrazi ato do të detyrohen të jenë pjesë konstruktive e saj, përderisa përbërja e parlamentit përmes ekuilibrit të numrave do të mund të kontrolloj të gjitha proceset.

Sa i përket qeverisë, ajo tashme dihet se ndodhet në duartë e z. Dritan Abazovic, i cili ka mundësinë jetike për të shtyrë agjendën qytetare, e që ka indikacione të nënkuptueshme të përkrahjes perendimore, për të kontribuar në krijimin e standardeve të reja për shtetin malazez. Partitë shqiptare atje, në mendimin tim, duhet të shfrytëzojnë këtë mundësi, që të rrisin rolin e tyre ndikues duke u bërë pjesë e proceseve e jo duke u defaktorizuar përmes mospjesëmarrjes me arsyetime e retorikë të tejkaluar.

Sulmet e orkestruara ndaj këtij koncepti nuk besoj qe kanë të bëjnë me personin z. Dritan Abazovic, por me frikën e fitores së konceptit qytetar në Mal të Zi, sepse ajo të të ndikonte edhe në rajon duke sjellur domosdoshmërisht rënien e politikanëve të cilët në vite janë në pushtet duke përdorur ndikimin e tyre në kartën e garantuesve të stabilitetit.

Se si do të rrjedhin gjërat do të shohim me kalimin e kohës por që tani mund të thuhet se rajoni do të përfitoj në rast të një procesi të suksesshëm të transformimit demokratik e qytetar. Ndonëse në dukje të parë mund të duken si fitues, është politika e Serbisë që pikërisht mund të kundërgoditet nga ky koncept e poashtu njëjtë mund të goditën politikanët shqiptarë, si dhe të rajonit që kanë luajtur vetëm në kartën antiserbe pa ofruar rezultate në ndërtimin e standardeve europiane.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!