×
Opinione

Ta mendosh politikën

Reporteri
15 Gusht 2021 | 10:48

Autor: Afrim Kasolli


U bënë nëntë vite që kur Arbën Xhaferi –“zëri i qartë i arsyes në mes kaosit”- pushoi së qeni në mes nesh. Shkrimtari i madh Ismail Kadare, me rastin e vdekjes së tij me të drejtë pat deklaruar “se njerëz të tillë ikin atëherë kur janë më të nevojshëm së kurrë. Arbëni ishte i tillë, i domosdoshëm, pikërisht tani. Ndaj si rrallëkush do t’u mungojë të gjithëve”. Dhe ngjarje të tilla të përmortshme jo pak herë e kanë trandur popullin shqiptar.


Qyteti dhe pavdekësia

Historikisht relacionin ndërmjet jetës dhe vdekjes “romakët si populli më politik i mundshëm që kemi njohur” e kanë përshkruar duke i përdorur dy shprehje emblematike. Në këtë kontekst fjala “të ‘jetosh’ dhe të ‘jesh në mes njerëzve’ (inter homines esse) sipas përfytyrimeve të kësaj bote kishte karakter politik, kurse shprehja ‘të vdesësh’ apo të ‘pushosh të jesh mes njerëzve’ (inter hommines esse desinere)”, ta largohesh nga bota e të gjallëve dhe pluralitetit njerëzor. Është pikërisht kjo botë, që sipas Hanna Arendit përbën një kusht të domosdoshëm për shfaqjen e aksionit politik.

Kurse për grekët marrëdhënia në mes“ të drejtës absolute që ushtron natyra mbi njerëzit”, siç e quante ndryshe Hegeli vdekjen dhe jetës politike, po ashtu formonte një dyzim të çuditshëm. Ky popull me anë të polisit (qytet-shtet), tentonte ta sfidonte fatalitetin e “hiçit të qenies” që lidhet me vdekjen dhe të mos mbulohej përjetësisht nga errësira që e shkakton “pluhuri i harresës”. Kjo edhe ishte arsyeja që qytetarët e tij e projektuan një hapësirë të përbashkët publike. Dhe e imagjinuan si medium ku do të demonstrohej prezenca e tyre jo vetëm si specie, por edhe si individë para tjerëve.

Pra krahas funksioneve tjera që plotësonte ky formacion unik në historinë e njerëzimit, në themel të tij qëndronte edhe shtysa për t’ua siguruar pavdekësinë nënshtetaseve të tij. Me anë të “etikës së aparencës” dëshmohej se fjalët, veprat dhe bëmat e atyre që participonin në këtë hapësirë, përkundër karakterit kalimtar të tyre, nuk do kalonin pa u vërejtur, dëgjuar, shikuar dhe kujtuar.

Si shembull tipik të“shëlbimit” që ofronte qyteti-shtet antik, Hanna Arendti e konsideron fjalimin funebër të Perikliut, kur shtetari i njohur athinas, deklaron se tash e tutje të gjithë ata që me guximin dhe vullnetin e tyre e kanë dëshmuar veten në funksion të këtij qyteti do të ishin pjesë e përhershme e memories së tij, duke e shndërruar vetën në burim të inspirimit dhe admirimit për brezat e ardhëm. Në këtë mënyrë nuk ishin më vetëm poetet, rapsodët dhe historianët që me vargjet e tyre ua siguronin veprimeve njerëzore qëndrueshmërinë duke i shndërruar ato në fjalë, por lavdia e tyre do të përjetësohej edhe nga kujtesa kolektive e qytetit. Në këtë horizont mbëltohej edhe kuptimi i ekzistencës njerëzore. S’kishte mallkim më të madh se sa të ishe i privuar nga kjo mundësi.

Madje s’është rastësi që në vokabularin e kësaj kulture një vend meritor e zinte fjala “arete” ( ἀρετή), e cila e kishte kuptimin e shkëlqimit, përsosmërisë dhe epërsisë (excellence). Po ashtu ky nocion helenik e mbarte edhe “konotacionin e virtytit dhe përmbushjes së plotë njerëzore”, fakt ky, që tregon më mirë se asgjë tjetër për rëndësinë që i kushtonte kjo kulturë në etosin e saj kultivimit të shtysave dhe impulsive psiko-politike, për t’u dalluar dhe veçuar në sytë e të tjerëve dhe për ta fituar lavdinë e brezave të mëvonshëm. Mbi këtë sfond është ngjizur ajo trashëgimi e organizimit të memories kolektive nacionale në zhvillimin e mëvonshëm të historisë njerëzore.

Në këtë drejtim botimi nën përkujdesjen e qeverisë shqiptare kohë më parë i veprave të Arbën Xhaferit parqet një kontribut madhor në pasurimin e panteonit të kujtesës sonë kombëtare. Sepse brezat e ardhshëm do të kenë mundësi të ushqehen shpirtërisht nga gurra mendore e Arbënit. Ta kompensojnë në aspektin kulturor mungesën e tij fizike. Dhe ta bëjnë të mundur që hijerorja sublime e Arbënit të jetë përherë mes nesh. Sepse siç thoshte vetë Abrëni në një shkrim mbi Ukshin Hotin “një popull mund të konsiderohet se është i formuar, se është i qytetëruar, vetëm atëherë kur është i zoti t’i ruajë vlerat e veta, t’i mbrojë mendimtarët e vet”.

Filozofimi dhe martirizimi

Arbën Xhaferin thuajse gjatë gjithë karrierës së tij e kishte shoqëruar një ankth i pashpjegueshëm i të qenit në “politik”. Një shqetësim mbi fragjilitetin e së tashmes dhe pasiguritë e së ardhmes. E dinte dhe ndjente potencialin e kësaj veprimtarie për vepra të mrekullueshme nëse kanalizohen drejt mundësitë e një populli, por edhe rrezikun që i kanoset një shoqërie nëse ajo degjeneron në një luftë ekstreme të brendshme ndërmjet “mikut dhe armikut” duke shpërfillur çdo normë etike, standard moral dhe sistem të vlerave.

Për Arbën Xhaferin s’kishte punë më delikate, “se sa veprimtaria politike, ngaqë në këtë fushë, më shumë se askund tjetër, zhvillohet beteja me oponentët me tërë qenien e njeriut, intelektin, moralin, dinakërinë, hipokrizinë, vizionin e tij, vendosmërinë, kapacitetin për vendimmarrje, paragjykimet, egon dhe superegon e tij. Në veprimtarinë politike ndikojnë shumë faktorë, shpeshherë edhe irracionalë që vështirë dekodohen”. Këtë paradoks mbase në mënyrë të përkryer e ka shprehur parimi i vjetër skolastik sipas të cilit “askush nuk mund të quhet i bekuar para se të vdes (Nemo ante mortem beatus esse dici potest)”.

Ngarkesave të tilla nuk ka mundur t’u shmanget as Arbëni. Sidomos kur dihet fakti se ai s’ishte një politikan i zakonshëm, siç janë sot shumica e “biznismeneve rishtakë” që nën petkun e politikanit dhe me llomotitjet e tyre banale e kanë pushtuar këtë sferë. Por, Arbën Xhaferi ishte edhe mendimtar në politikë, një paradoks ky vështirë i pajtueshëm sidomos në rrethanat tona.

Ai i hyri në jetën aktive politike nga një prapavijë filozofike, profesion ky që tradicionalisht ishte konsideruar si strehë e vetmitarëve, përkundër karakterit kolektiv të “fenomenologjisë së aksionit njerëzor”. E një këmbim i tillë i shtëpisë së mendimit me botën e veprimit, historikisht është shoqëruar jo pak herë me trauma, ankthe, vrerosje dhe vramendje kreshpëruese për këtë kategori. Dënimi me vdekje i Sokratit, skllavërimi i Platonit apo arratisja e Aristotelit nga shteti i tij, duket sikur shënojnë një kumt ogurzi që në pikënisje të kësaj tradite.

Ky fat ka bërë që shpeshherë në “galerinë e heronjve të mendimit” nocionet filozofim dhe martirizim të shfaqen si sinonime. Prandaj persekutimi, censurimi dhe ndëshkimi i filozofëve kanë qenë sinjali më i qartë i mundshëm mbi zezonat që do ta kaplonin një shoqëri.

Të jetosh për të menduar

Me stilin e shkrimit, forcën e argumentimit dhe thellësinë e mendimit, Arbën Xhaferi lirisht mund të themi se ka zënë një vend unik në piedestalin e figurave kombëtar, së bashku me disa personalitet tjera të veçanta të jetës publike dhe kulturore shqiptare, sikur janë Faik Konica, Fan Noli, Branko Merxhani etj.

Mirëpo Arbëni, bie fjala, në dallim nga Faik Konica, ky “tigër i trishtuar” siç e quan Ismail Kadare, nuk ishte përbuzës cinik që sot të “shfaqte dhembshurinë e nesër të tallej me vendin e vet. Apo të “dëshpërohej e të binte në zi për vendin e tij, ta quante Zululand, e ta përçmonte e të shqyhej gazit me të”. Madje Konica me “përqeshjen e tij therëse sikur thoshte në ato faqe plagosësh: shikojeni këta donkishotë kanë krijuar shtetin e tyre e s’dinë ç’të bëjnë me të!”. Ndërkaq ndryshe nga Fan Noli, ky “demon i përmbysur”, Arbëni s’përndizej nga shpresat mesianike duke e ndier vetën “herë misionar të Krishtit, herë vetë Krishti, herë të kryqëzuar e herë triumfator”. Ai s’nxori asnjëherë vrer dhe nuk u acarua kurrë me popullin e tij. S’joshej nga asnjë dogmë rigjide ideologjike, përkundrazi distancën “higjienike” me to e konsideronte mision jetësor. Po ashtu mediokritetin, motivet banale, lakminë personale, etjen për kapardisje egocentrike si dhe manitë narcistike të liderëve i konsideronte me pasoja fatale për çdo politikë.

Në këtë kontekst Arbëri nuk u pushtua kurrë nga fantazmagoritë iluzore, se po të ishte ky në vend të këtij apo atij lideri çdo dështim i shqiptarëve do kthehej në mënyrë magjike në triumf. Ai e ndjente se fati i një populli, mirëqenia e tij dhe po ashtu realizimi i së drejtës që i takon në teatrin e përgjakshëm të historisë, nuk kanë qenë çështje e mëshirës apo përdëllimit ndërkombëtar, por në masë të madhe janë varur nga kapacitetet e përbashkëta politike, ushtarake, ekonomike dhe diplomatike të një populli, pikërisht atëherë kur ka ndodhur “beteja finale”.

Në pajtim me postulatin hegelian për “esencën” e kombeve, Arbëni e dinte se “kombet janë ashtu çfarë janë veprat e tyre”. Bie fjala edhe sot logot e mallrave “Made in USA” apo “Made in Germany”, në mënyrë simbolike e manifestojnë karakterin e kësaj “fryme aktive prodhuese”, ku me anë të saj popujt e veçantë e shfaqin vetën objektivisht. Madje ato shndërrohen në simbole te krenarisë dhe identifikimit nacional. Në këtë drejtim, aktualizimin e potencialeve të tilla kolektive, Arbëri e konsideronte një detyre primare historike kombëtare.

Arbëri jetoi dhe veproi në një kohë dramatike të zhvillimeve politike. Ishte kjo periudha kur ish-Federata Jugosllave po detronizohej dhe shkërmoqej nën ndikimin e erës së ndryshimeve demokratike. Dhe popujt e saj po e kërkonin hisen e tyre në gërmadhat e asaj mini-perandorie. Ndërkaq serbët si populli hegjemon i këtij shteti mëtonin ta ruanin një pozicion të privilegjuar dhe dominues mbi popujt tjerë në kuadër të kësaj koniunkture të dënuar me shthurje nga historia. E në këtë kohë më shumë se kurrë më parë, “Komandant timosi” si shprehje e “dëshirës antropogjentike hegeliane për barazi” po kërkonte satisfaksion të plotë edhe te shqiptarët. Sepse për këtë lexues të pasionuar të ligjërimeve filozofike të historisë, odiseada e rrugëtimit politik të popujve për shkak të “vetëdijesimit për lirinë” s’mund të qetësohej pa realizimin e kësaj të drejte, e as të “manipulohej” me formula të politikës ditore burokratike që ofronin zgjidhje paliative.

Gama e preokupimeve mendore të Arben Xhaferit ishte e gjerë. Dhe do të ishte e pamundur ta paraqesim të tërën në këtë shkrim të shkurtër. E veçanta e Arbërit ishte qetësia olimpike në shtjellimin e tyre. Pa mbindjesi emocionale dhe trazim shpirtëror. Kështu ajo që shihej si dobësi e tij e jashtme, në të vërtetë ishte forca e tij brendshme. Arbëri e formonte një botë të pamundësive. Ai të rrëmbente me magjinë e mendimit të tij. Duke i dëgjuar përsiatjet dhe kredhjet e tij teorike të dukej vetja se dilje “jashtë kohës” dhe jashtë “sistemit të zakonshëm të mendimit”. Po ashtu të krijohej përshtypja e desensualizmit nga hapësira. Prandaj, duket më shumë se askujt tjetër, atij i përshtatet formula lakonike “jetoi për të menduar”.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!