×
Opinione

Takimi i Washingtonit, kritikë me vend apo xhelozi politike?

Reporteri
21 Tetor 2020 | 17:10

Autor: Rejhan Vuniqi


U kritikua jashtëzakonisht shumë kryeministri Hoti, u kritikua marrëveshja e arritur në Washington, u analizua nëpër debate televizive, shkruan të gjitha mediat dhe së fundmi, kryeministri Hoti u thirre edhe në interpelance. Mirëpo, nga të tjerët, nga ata që na shohin nga larg, faktori ndërkombëtar, kjo ishte një ngjarje e madhe dhe e nevojshme ku me gjasë shumë kolegë të politikës kosovare do dëshironin të ishin në vend të Hotit.


Dikush thotë se kryeministri ishte i dobët, jo përfaqësues, madje dhe i paligjshëm. Mirëpo çfarë bëmë ne? Nuk krijuam unitet rreth tij, ndonëse ai na ftoi në takime të ndryshme; e sulmuam njeriun tonë; iu shmangëm ftesës amerikane, kësisoj edhe përgjegjësise, të cilën e mori kryeministri. Më duket se për këtë nuk na e ka fajin Amerika, dhe as kryeministri Hoti, por e kemi ne vet.

Firmosja e marrëveshjes në Zyrën Ovale, pas negociatave të gjata, me praninë e Presidentit amerikan, ishte një ngjarje e jashtëzakonshme. Pa maska, dëshmi besimi, e respekti ndaj nesh, drejtpërdrejt, në qendrën e pushtetit më të rëndësishme të botës, ne shënuam përparim në zgjidhjen e një konflikti që na ka kushtuar jetë njerëzish, kohë, energji, burime financiare, etj. Me gjasë, po t’i ishim përgjigjur më parë ftesës amerikane, po të ishim bërë bashkë si në Rambuje, apo Vjenë, mund të kishim një marrëveshje akoma më të mirë. Mirëpo, kush ka sabotuar bashkimin në një formë ose në një tjetër, nuk mund të ankohet sot. Miqtë amerikanë, trajtuan me ndjeshmëri krejt ankesat tona, madje e pranuan pa mëdyshje dhe ndërrimin e negociatorit-dikur Presidentit Thaçi. Pra, nuk munde ti bejme fajtor per asgje.

Marrëveshja në fjalë, është një arritje e madhe. Vetë ceremonia, respekti që nikoqiri na dha në mënyrë të barabartë me palën tjetër, organizimi i bisedës telefonike me kryeministrin izraelit, dorëzimi i njohjes izraelite me një letër të Presidentit Trump, ishin shfaqja më e fuqishme e subjektivitetit tonë ndërkombëtar.

Shfaqja qe u dha ate dite ne zyren ovale, së bashku me Njohjen e Izraelit, që nënkupton tre hapa bashkë- njohje, vendosja e marrëdhënieve diplomatike dhe hapja ambasadave, është fushata jonë më e mirë për njohjen e Kosovës. Lufta jonë për integrim ndërkombëtar tanimë do të jetë në OKB, dhe jo në vende të veçanta anembanë globit.

Përfshirja e SHBA-ve nëpërmjet Presidentit Trump e dinamizoi përfshirjen e shteteve kryesore të Bashkimit Europian në dialogun tonë. Vetëm pas letrës së tij pamë angazhim të dy kancelarive kryesore, asaj franceze dhe asaj gjermane. Amerikanët e kuptuan nevojën e bashkëpunimit me miqtë europianë dhe takimi i Uashingtonit ishte plotësisht i koordinuar, si e konfirmoi ambasadori Grenell. Ndaj ne nuk mund t’iu kërkojmë amerikanëve, diçka që kanë marrë përsipër ta kryejnë europianët. Tabloja duhet parë e plotë, dhe jo pjesë të shkëputura të saj.

Gjithashtu kjo marreveshje ka nje rendesi të veçantë ekonomike.
“Është ekonomia budalla“, ka qenë një slogan elektoral i Presidentit Klinton. Ekonomia është politikë dhe kush nuk e kupton këtë, jo thjesht ngatërron konceptet, por është total i painformuar. Disa prej nesh kanë bërë naivisht, apo me keqdashje, lojën e përfshirjes midis europianëve dhe amerikanëve; midis demokratëve dhe republikanëve. Evropianët, si duket nuk kanë qenë shumë entuziastë me takimin e Washingtonit dhe tash ne nuk mund t’u themi miqve amerikanë, pse nuk bënë gjithçka ata, por u lanë ende punë evropianëve në Bruksel nesër.

Le të mos merremi as me triumfalizma pas takimit të Washingtonit dhe as duke hedhur gure në çatinë amerikane. Të mos e kritikojme Hotin, ndërsa e lamë vetëm, ndërsa dezertuam nga fronti i negociatave. E vlerësoj shumë konsultimin e fundit të Kurtit me një ekspert të famshëm ekonomie, dhe idetë që dolën prej tij, ndonëse ndërlidhja e tij me ekspertizën ekonomike duhet të kishte ndodhur më parë. Faktori kohë ka rëndësinë e vet.

Të përkryejmë pozitën tonë ndërkombëtare, dhe në negociatat e Brukselit, duke korrigjuar gabimin që bëmë në Washington. Megjithatë takimi në Shtëpinë e Bardhë ishte një vitrinë e shkëlqyer e Kosovës, pas kohëve të errëta të pandemisë dhe vetëizolimit tone dhe ecje përpara, krijim I klimës së dialogut dhe adresim I disa temave kryesore të tij. E kuptoj se është një farë deklasimi të kalosh nga shoqëria e Presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhe, tek ajo e Lajçakut në Bruksel, por kjo nuk është arsye përctë qortuar amerikanët, në llogari të evropianëve, që hesapet mes tyre i bëjnë vetë më mirë- pa ndihmën tonë.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!