×
Opinione

Trashëgimia e shumëfishtë

Reporteri
21 Janar 2022 | 10:19

Autor: Afrim Kasolli


Sot janë bërë 16 vjet që nga vdekja e ish-Presidentit Rugova. Figura dhe roli i tij në historinë moderne të Kosovës vazhdon të ngjallë ende polemika, admirim, mospajtime dhe kritika në shoqërinë kosovare. Për disa është ende mit. E për të tjerë një vdekatar i rëndomtë. Për të tjerë profet. Kurse për shumë kënd tjetër një njeri i zakonshëm me virtytet dhe veset e tij. Mbase normale.

Madje s’është e rastësishme që romakët me anë të termit “Saecula”, mendonin se një gjykim retrospektiv i duhur për ngjarjet dhe personalitetet historike mund të bëhet vetëm pasi të kenë vdekur të gjithë ata që kishin qenë të lindur kur ishte zhvilluar ngjarja. Pra, për aq kohë sa jetonin protagonistët tjerë, që në një mënyrë apo tjetër, kishin qenë të involvuar në ngjarjet që kishin ndodhur për të gjallë të tyre, nuk mund të bëhet një vlerësim objektiv historik, sepse ai kushtëzohet nga pasionet, interesat dhe motivet ditore.

Dr Rugova hyri vrullshëm në jetën politike dhe publike të shqiptarëve të Kosovës në një kohë të trandjeve të mëdha historike dhe politike. Në një periudhë kur një botë po shembej dhe shkërmoqej nga kontradiktat e brendshme dhe presionet e shumëfishta politike dhe mungonte një rend tjetër.

Ai së bashku me protagonistë tjerë të kohës u dallua në formulimin gradual të kërkesave të Lëvizjes politike për pavarësi të Kosovës. Me këtë nuk do të thotë se ai ishte kundër bashkimit kombëtar. Madje zgjidhje të drejtë historike për çështjen shqiptare e konsideronte këtë solucion. Kurse kërkesën për pavarësi e vlerësoi si shprehje të vullnetit për kompromis nga ana e shqiptareve të Kosovës për hir të konturave gjeopolitike. (Por për këtë temë në një shkrim të radhës).

Tipar tjetër i tij dhe brezit të kohës ishte bindja se këto kërkesa duhet të shtrohen vetëm me fjalorin e demokracive perëndimore dhe duke i afirmuar vlerat e pluralizmit dhe liberalizmit. Sepse vetëm me këtë përcaktim të qartë dhe pa ekuivoke kishte gjasa që SHBA-të dhe aleatët e saj si fitimtare të Luftës së Ftohtë ta mirëkuptonin dhe pranonin gradualisht vullnetin e popullit të Kosovës për shtet të pavarur. Me këtë orientim synohej të dëshmohej rreshtimi ynë në anën e drejtë të historisë dhe të diskreditohej politika serbe për shkak të përqafimit të anës së gabuar të saj. Dhe kështu të argumentohej karakteri jo legjitim dhe jo legal i sundimit serb mbi Kosovën. Çdo shkarje nga ky parim mund ta palestinezonte dhe kurdistanizonte çështjen e Kosovës. Sepse shtrimi i kërkesave tona nacionale me një vokabular që ishte shprehje e remishencave të marksizmit do të ishte me pasoja fatale për të ardhmen tonë.

Në këtë drejtim ekziston një konsensus i përgjithshëm për këtë qartësi të tij konceptuale historike. Dyshimet shtohen se a u angazhua ai mjaftueshëm për ta jetësuar këtë projekt. A mos Dr Rugova u shndërrua më më shumë në një lider që formalisht i formuloi kërkesat e duhura për popullin e tij, por pas këtij akti u tërhoq në kullën e tij të fildishtë, në lirinë mendimit poetik dhe romantik si dhe e la popullin që ta gjejë vetë rrugën e zbatimit politik të tyre? A mbeti ai prangosur brenda atij niveli të vetëdijes që Hegeli e definon si “pastërtia e shpiriti”( beauty of soul). Në veprën “Fenomenologjia e Frymës” mendimtari gjerman pohon se këtë frymë e karakterizon tërheqja nga bota dhe strukja në idealet sublime të shpirtit. Një formë e vetëdijës kjo që e zhvesh misionin nga aksioni. Formën nga përmbajtja. Dhe jeton në kontradikta ndërmjet qenies dhe mendimit.

Kjo enigmë vazhdon të ngjallë ende shumë diskutime dhe kundërthënie. Sepse në fund të fundit ngjarjet dhe ndryshimet kryesore politike dhe historike të rezistencës sonë për liri që hovëzuan në fund të viteve ’90 me luftën e UÇK-së si maja kulmore e kësaj tendence nuk e mbartin vulën e drejtimit të tij. Ai u shndërrua në vëzhgues pasiv të detit të trazuar të historisë sonë kombëtare në momentet vendimtare të saj.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!