×
Opinione

Trashëgimia kulturore vuan pasojat e mosanëtarësimit në UNESCO

Reporteri
30 Shtator 2019 | 19:20

Autor: Elizabeta Januzaj


Në Kosovë, anëtarësimi në UNESCO nuk është vetëm çështje që ndërlidhet me arsimin dhe trashëgiminë kulturore, por një çështje me shumë gravitet politik.


Kalaja mesjetare e Novobërdës është një nga projektet e vetme në Kosovë, restaurimi i së cilës është mbikëqyrur nga UNESCO vitet e fundit. Por ende pa u përfunduar punimet muret kanë nisur të shemben dhe pjesa brenda kalasë është mbyllur për vizitorët. Ndërsa restaurimi i katedrales në rrënojat e kalasë ka nxitur përplasjet mes Kishës Ortodokse Serbe, qeverisë së Serbisë dhe autoriteteve të trashëgimisë kulturore në vend. Madje për meshën katolike, Kisha Ortodokse thotë se do të ankohen në UNESCO dhe Vatikan.

Abati i Manastirit të Deçanit, Sava Janjić, thotë se mesha e mbajtur pranë rrënojave të një kishe, që ai thotë se është ortodokse e jo katolike, ka gjasa të ndikojë në raportet mes kishës katolike dhe asaj ortodokse.

“Ka shumë prova historike dhe arkeologjike që thonë se aty është një kishë ortodokse pranë rrënojave të një kishe katolike, por ata mbajtën meshë në rrënojat e Kishës Ortodokse”, thotë ai.

“Ne jemi të shqetësuar sepse para së gjithash kjo është një zonë arkeologjike dhe kisha jonë nuk ka dashur ta përdor atë si kishë. Ajo ka mbetur çfarë në fakt është, një mbetje e rrënojave që duhet të mbrohen. Organizimi i një ceremonie fetare katolike në këtë lokacion është direkt një politizim”, thotë Janjić për New Perspektiva.

Janjić e quan këtë “një provokim tjetër serioz që i dëmton marrëdhëniet mes Kishës Ortodokse dhe Kishës Katolike” duke thënë se kjo çështje do të ngritet edhe në organet ndër-kishtare në mbledhjet e Kishës Ortodokse dhe Vatikanit”.

Ai gjithashtu ka paralajmëruar ankesë në UNESCO, në Zyrën e BE-së dhe në instanca tjera ndërkombëtare.

Drejtori i Instituti Arkeologjik të Kosovës, Enver Rexha, thotë se në rastin e Novobërdës është vepruar mbi bazën e historiografisë, dhe se ky lokacion “është i regjistruar: objekt i krishterë katolik”. “Ata (Kisha Ortodokse) po mundohen ta tjetërsojnë historinë, e tjetërsimi nuk ka bazë shkencore. Ne kemi edhe argumentet e historiografisë të serbëve edhe ndërkombëtare për atë objekt”, thotë Rexha për New Perspektiva.

“Ekzistojnë dokumente të Venedikut, Raguzës së Dubrovnikut, se ky monument ekziston me atë emër (katedralë), objekt i krishterë, qysh në shekullin e 14-të, prej 1340. Tash po tentohet të ndryshohet, çka ne shkencërisht nuk do ta lejojmë të ndërrohet, qoftë ajo xhami, katedrale apo kishë ortodokse”, thotë Rexha.

Zona e veçantë e Novobërdës, pritet të jetë temë diskutimi edhe në takimin e radhës të Komitetit Ndërqeveritar të Bashkëpunimit me Komunitetet fetare, ndonëse kjo ka gjasa të prolongohet për shkak se qeveria është në largim. “Kërkesa jonë është shumë e qartë – mos të përdoret si një vend fetar, por ta lëmë atë si sit arkeologjik”, thotë Janjić.

Më shumë se një dekadë pas pavarësisë, Kosova ka dështuar në përpjekjet e saj për t’u bërë pjesë e UNESCO-s, dhe në tentativën e fundit, kundër anëtarësimit votuan edhe disa nga vendet që tashmë e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Kjo ka bërë që deri më tani përfitimet e Kosovës nga përfshirja e monumenteve të saj në listën e vendeve të rëndësishme të trashëgimisë botërore të UNESCO-s të jetë tejet e vogël.

Nën mbrojtjen e UNESCO-s tashmë janë aktualisht Manastiri i Deçanit, ai i Graçanicës dhe Kisha e Apostujve të Shenjtë në Prizren. Përfshirja e tyre ishte bërë me kërkesë të Serbisë ngase mosanëtarësimi privon Kosovën nga bashkëpunimi me UNESCO-n në lidhje me Listën Botërore të Trashëgimisë dhe, rrjedhimisht, vendi nuk mund të aplikojë që ndonjë nga lokalitetet e saj të trashëgimisë kulturore të përfshihen në këtë listë.

Monumentet e listuara nga UNESCO si vende të trashëgimisë kulturore u ndihmojnë vendeve në tri elemente qenësore: forcimin e identitetit të tyre në botë, përfitime në çështjen e financimit dhe po ashtu kjo nxitë turizmin duke sjellur vëmendjen e vizitorëve drejt tyre.

Organizatat që merren me çështjen e trashëgimisë kulturore në Kosovë, si Zyra e Trashëgimisë Kulturore pa Kufij (Cultural Heritage Without Borders, Kosovo Office) thonë se trashëgimia kulturore në Kosovë po vuan për mungesë të sundimit të ligjit dhe politikave të dështuara të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore.

“Vërehet se pjesë shumë të rëndësishme të Ligjit për trashëgimi kulturore nuk janë zbatuar”, thotë për New Perspektiva, Sali Shoshi, drejtor i Zyrës së Trashëgimisë Kulturore pa Kufij.

Aktualisht, autoritetet në vend nuk kanë arritur të krijojnë një databazë të konsoliduar të aseteve të trashëgimisë kulturore me informatat e nevojshme. “Mungesa e të dhënave për trashëgimi kulturore në planet hapësinore ka bërë që disa projekte të infrastrukturës të realizohen duke shkatërruar trashëgiminë kulturore, siç ka ndodhur në rastin e autostradës Prishtinë – Han i Elezit, që kalon mbi një lokalitet arkeologjik në Ferizaj”, thotë Shoshi.

Duke mos pasur ndonjë raport bashkëpunimi me UNESCO-n, Kosova nuk mund të ketë qasje në programet që koordinohen nga UNESCO. Programet ndërlidhen me çështjet e ruajtjes se trashëgimisë, turizmit kulturor, përfshirjes qytetare, teknologjisë, të drejtave në qasje në kulturë etj.

Laetitia Kaci, zyrtare për media në UNESCO, shpjegon se, kur një vend nënshkruan Konventën e Trashëgimisë Botërore dhe ka lokacionet e saj në këtë Listë të Trashëgimisë Botërore, monumentet e këtij vendi gëzojnë prestigj që u shërben këtyre vendeve dhe imazhit të tyre.

“Rritja e vetëdijes së qeverive dhe qytetarëve të atij vendi rreth mbrojtjes së trashëgimisë kulturore shpie te rritja e nivelit të kujdesit ndaj tyre. Një vend gjithashtu mund të përfitojë asistencë financiare dhe ekspertizë nga Komiteti i trashëgimisë Botërore në ruajtjen e monumenteve të trashëgimisë kulturore”, ka thënë Kaci për New Perspektiva.

Gjithashtu UNESCO kërkon nga shtetet që të kenë të rregulluar çështjen e inventarizimit, dokumentimin si dhe shpalljen në mbrojtje të përhershme të aseteve të trashëgimisë kulturore.

“Institucionet kanë arritur që vetëm 23 asete nga lista prej 1595 asetesh t’i përfshijnë në Listën e trashëgimisë nën Mbrojte të Përhershme. Kjo situatë është si pasojë e komunikimit të pamjaftueshëm institucional dhe për shkak të performancës të dobët të institucioneve kompetente”, thotë Shoshi.

Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore kërkon gjithashtu që para se të bëhen ndërhyrje restauruese si kjo në Novobërdë, Kosova ta bëjë inventarizimin, dokumentimin dhe shpalljen e aseteve në mbrojtje te përhershme.

Aktualisht në Kosovë janë vetëm 23 asete në mbrojtje të përhershme ku katër nga këto janë pjesë e UNESCO-s.

“Rasti i ndërhyrjeve në Kalanë e Novobërdës ka treguar së ndërhyrjet kanë qenë të dëmshme”, thuhet në një përgjigje të Këshillit për Trashëgimi Kulturore të Kosovës.

Për klerikun Sava Janjić, anëtarësimi i Kosovës në UNESCO nuk mund të jetë diçka që ai do ta përkrahte përderisa sipas tij “politika në Kosovë mohon që disa monumente të kultit nuk janë të kishave ortodokse serbe”, ndonëse ato njihen nga kushtetuta e Kosovës.

“Kjo është një nga arsyet kryesore pse po shqetësohemi për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO sepse nuk e dimë çfarë na pret në rrethana të tilla kur identiteti mohohet”, thotë Janjić.

Derisa ajo çfarë është tipike për vendet e Ballkanit – lufta për identitete – po vazhdon, Kosova, sipas autoriteteve, do të bëjë së shpejti një përpjekje tjetër për anëtarësim në UNESCO.

Megjithatë Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës nuk është përgjigjur në pyetjet e New Perspektivës se kur do të bëhet përpjekja e treta me radhë për t’u anëtarësuar në këtë organizatë të OKB-së.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!