×
Opinione

Trishtimi mbi vdekjen

Reporteri
21 Korrik 2020 | 16:19

Autor: Frrok Gjergjaj


Ishte mëngjes i hershëm, rreth orës 06:00 e datës 19 Korrik 2020, kur pranuam njoftimin për vdekjen e anëtares së familjes, e moshës 83 vjeçare, vdekje e natyrshme. Pavarësisht moshës, për ne ishte e dhimbshme.


Epidemitë e ndryshojnë logjikën e standardin e punës e të jetës. Sot, të vdesësh, humbësh në vlugun e pandemisë.

Andaj po ju rrëfejë përvojën jo e mirë në Spitalin e Gjakovës.

Shkuam ta marrim kufomën, si e do rendi. Kur përballesh me familjarin e vdekur, mërzia e shqetësimi ta ndryshojnë pakëz qëndrimin dhe ndoshta nuk je vetvetja.

Së pari Spitali ishte në qetësinë e vdekjes, e kuptuam këtë, nga aktet e fundit.

Kishim nevojë të konsultohemi. Nuk gjetëm njeri që nga porta e hyrjes.

Nuk dinim si të veprojmë me kufomën, na duheshin informata dhe ndihmë teknike deri te ajo profesionale.

Na duhej përgatitja e kufomës, sikur e do zakoni. Ta vishnim e ta bënim gati, natyrisht këtë e bëjnë familjarët e afërm, as që e kërkonim nga tjerët. Por, edhe pse kishin të drejtë të jenë nën masa mbrojtëse, punëtorët shëndetësorë nuk na jepnin përgjigje të afërt, as të saktë, bile as nuk ishin tw qartw dhe nuk mund t’i kuptoje se çka përgjigjeshin.

Kërkuam mjet për bartje të kufomës. Mezi morëm një përgjigje sa për të na larguar. Na thanë, shkoni te sigurimi. Sigurimi, thonin: “nuk jemi ne përgjegjës, as që kemi mjete”. Ngulem këmbë, përmendëm dikë nga mjekët, dhe e nxorën mjetin, edhe kjo pasi përgjigja e parë ishte refuzuese.

Nuk dinim a e kanë për detyrë, apo neglizhojnë. As tani nuk e kam të qartë, kur vdes ndokush në spital, çka ka për detyrë familjari, e çka bëjnë ata të shëndetësisë, apo kush duhet ta kryej këto punë!!!

Pa paragjykim, por, në oborr e takova njërin nga infermierët. I kuptojë se edhe ata e ruajnë jetën e tyre, e besa edhe neve. Ishte i mobilizuar i tëri dhe as që nuk njihej. Nuk e dije a je ti vrasësi, apo je para një ekzekutori. Fliste nga larg, të ruhej, e nuk e merrje veshë përgjigjen? Të gjithë jemi të dyshuar, jemi nën dyshime e dyshojmë.

Mendoja me vete, familjari ynë ka vdekur. Tani ne çfarë faji kemi që kërkojmë vetëm ndihmë teknike? Njihja shumë nga personeli, por nuk doja ta trazojë askënd sepse e mendoja se është detyrë e rregullt të trajtohet një kufomë dhe familjarët sikur janë rregullat e spitalit.

Aty trishtimi e kishte mbuluar dhimbjen në vend që të kishte infermier për udhëzime, d.m.th, me na e dhënë udhë. Ngase mjekët e kishin kryer punën, e kishte mbetur vetëm vapa e të nxehtit në dhomë, pa freski, provova ta hapë dritaren. Ishte me gozhda e nuk hapej as për ndonjë emergjencë. Desha ti pastrojë duart, rubineti nuk funksiononte.

Mjeti me të cilin e bartëm kufomën, në çdo çast pritej ta lëshonte, nuk kishte siguri. Me ndjenjë trishtimi e vendosëm dhe e larguam. Takuam dy uniforma të bardha, as që e kthyen kokën të pyesin se kah po shkojmë me kufomë, a e kemi vjedhur, apo nëse kemi nevojë për ndihmë?

E gjithë kjo lëvizje nga lartë e poshtë dhe anasjelltas, nuk u mur kush me ne. Dhe më keq, e larguam një trup nga objekti i spitalit, pa asnjë dokument përcjellës, dhe nuk na pyeti kush, as edhe sigurimi, se çfarë po ndodhte e as çfarë po bënim.

E kuptoj se është kohë pandemie. Por, nuk e kuptoj qysh e merr nga spitali një të vdekur me arkivol edhe nuk të pyet kush edhe nuk ta lëshojnë as edhe një dokument-raport.

E kuptoj se janë në kushte tmerruese, por nuk i kuptoj sa ka peshë ana humane nga vetvetja. E kuptoj se i kanë dhe pagat jo aq sa duhet me i pas, por…!?

E di që mjetet e punës nuk i kanë në nivel, por si kuptoj pse nuk ka punëtor teknik të operativës për kryerjen e shërbimeve në raste të tilla.

E di se objektet janë të vjetra por ku shkuan milionat që u ndanë, e sot dritarja e bllokuar me gozhda ose një rubinet i ujit të mos punojë në dhomë në këtë kohë kur pastërtia duhet të jetë në nivel maksimal.

E di se kam me e marrë kritikën. Mjekësia po kryen punë, ndoshta më të madhen në Kosovë tani për tani. Pa të cilët jeta e jonë do ishte me rrezik, ngase ata po e marrin rrezikun për ne. E di se nuk duhet vejmë në thumb çdo veprim të gabueshëm. Por, po kërkojë ta kemi edhe më të fortë shëndetësinë, ngase ka neglizhencë nga dikush dhe ia humbë atij që përkushtohet deri në rrezikun e jetës së vetë. Spitalet kanë nevojë për më shumë zhvillim, janë larg standardeve.

Kushdo që e ka fajin, neve na bën të ankohemi.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!