×
Opinione

UNË VOTOJ

Reporteri
12 Shkurt 2021 | 20:55

Autor: Frrok Gjergjaj


Për disa ditë u ndodhëm në fushatë, me premtime, me figura e me elozhe që edhe na mbushen, edhe na shpërlanë mendjen. Ka të mira, e kemi dobësi në këtë ‘Tokë të Dardanisë’. E kishim rrugën e gjatë deri te Liria, që e kemi sot. Nëse i kujtojmë të parët tanë, sa prej tyre kanë vdekur me sy hapur ta shohin Lirinë, ngase e vuajtën mungesën e saj.


Kush tha, – “të dielën do të çlirohemi”?

Mos o Zot, të kërkohet edhe njëherë çlirimi. Po ne jemi çliruar more. Na çliruan luftëtarët. Na ndihmuan humanitarët.

Dikush, edhe më tej nuk qenka çliruar?! Sa keq. Ata që nuk janë çliruar janë rob të vetvetes. Unë nuk pres ditë tjetër të çlirimit, pres ditë të mira, ngase e mira nuk ka fund. Ato i bëjmë së bashku, nëse jemi afër njëri tjetrit. Asnjëri vetëm nuk mundet në këtë vorbull ku të gjithë marrim prej saj. Të marrim e të japim, se mbetet edhe për tjerët.

Kush tha, – “nuk është bërë asgjë”?!

Gjatë këtyre viteve, dikush ndërtoi objekte, se nuk i kishim. Dikush demokraci, se ishte e shtypur. Dikush infrastrukturë ligjore, se nuk i kishim. E dikush arsim e edukim të mirë, se nuk na lejonin. Në të gjitha këto, ka ende vend për më mirë. Që të gjitha, janë vazhdimësi për gjenerata t’i perfeksionojnë.

Nesër biem në heshtje. Heshtje për të pasur kohë të mendojmë se për kënd do të votojmë. I kishim këndej ata që na dhanë dëshmi se bëjnë për këtë tokë, për këtë popull, e për të Ardhmen tonë. Plot djem e vajza të bukur e të shkolluar. Ata që morë përsipër edhe më herët se janë të përbetuar. Si dhe ata që u shkolluan dhe janë kuadro për të mirën tonë.

Diçka na dikton historia. Diçka e sotmja që po e shohim. Diçka duhet të shohim përtej mureve se na kumbon zhurma e egër. Nuk kemi më kohë për testime. Na presin projekte të ngutshme. Në mesjetë ishte kulti i individit, e deri te shtriga e komunizmit, që ia pamë sherrin, e na la kështu. Tani, na duhet shumësia e mendimit, shumësia e kuadrove pa armiqësi.

Nesër jam në heshtje. Ndërsa mendja ime ka në shënjestër zgjedhjen e më të mirëve. Të atyre që thirrin e përbashkësinë ndër ne. Të atyre që nuk na lëndojnë asnjë fjalë me miqtë tanë ndërkombëtarë. Të atyre që janë të çliruar nga budallëku, e nuk vijnë si “çlirimtarë”.

Tani na duhen ndërtimtarë me kultin e demokracisë e jo të individit.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!