×
  • Mjekësi
  • Mjekësi

    Synimi i perfeksionit përmes kirurgjisë, edhe shqiptarët pjesë e trendit global

    Reporteri
    19 Nëntor 2021 | 16:44

    Sakrificat e bukurisë, datojnë shekuj më parë, që në Kinën e lashtë, por televizioni dhe media sociale, i dhanë një tjetër dimension ndërhyrjeve kirurgjikale. Me kalimin nga “ekskluziviteti” i VIP-ave tek të gjithë të interesuarit, duket se ndërhyrjet estetike janë tanimë një praktikë normale edhe në vendin tonë.

    Para një dekade, operacionet plastike në Shqipëri konsideroheshin të rralla, të shtrenjta, dhe të rrezikshme. Për to flitej pak dhe ishin një luks që mund t’ia lejonin vetes pak persona. Por me zhvillimet e mjekësisë dhe teknologjisë, procedura të tilla u lehtësuan aq shumë, sa mund të bëhej botoks dhe më pas njerëzit të shkonin menjëherë në zyrë.

    Me një çmim operacioni që nis nga 1500 euro, rimodelimi i hundës renditet te ndërhyrjet më të kërkuara dhe të kryera në klinikat e vendit tonë. Korrigjimet e hundës dhe zmadhimi i gjoksit janë dy operacionet më të kërkuara, por nuk mbeten pas edhe kërkesat për fryrjen e buzëve, rregullim i formës së veshëve, lifting i fytyrës e korrigjime të kapakëve të syve. Gjithashtu, është rritur kërkesa për botoksin dhe rikonturimin e formës së trupit nëpërmjet liposuction-it, si te femrat, ashtu edhe te meshkujt. Një tjetër ndërhyrje tejet e kërkuar, ka qenë mbjellja e flokëve.

    Komplekset, dëshira për t’u vetëpërmirësuar apo presioni për t’u përshtatur me standardet e bukurisë në rrjete sociale, janë konsideruar disa nga arsyet kryesore që çojnë shumë persona drejt kirugjisë e ndërhyrjeve plastike. Sipas sociologëve, shtysa drejt këtyre operacioneve plastike vjen edhe nga disa standarde globale bukurie të vendosura nga modele si Kim Kardashian apo Kylie Jenner, ndikimi i të cilave ka prekur vajzat dhe grate në mbarë botën.

    Buzët e plota, hunda e vogël, mollëzat e kërcyera, sytë e tërhequr, gjoksi dhe vithet e mëdha po dominojnë kërkesat e vajzave thujase në të gjithë botën, duke çuar shpesh edhe në unifikimin e portreteve. Problem mbetet fakti se ky trend që tundon drejt perfeksionit po prek dhe vajza në një moshë shumë të re, të cilat ende nuk kanë kaluar adoleshencën.

    Me një rritje të kërkesave te klinikat në vend, dhe me hapjen e klinikave të reja, duket se ky biznes po pozicionohet fort në tregun e vogël shqiptar. Ato raportojnë rritje të ardhurash çdo vit.

    Ndryshe nga sa pritej, shqiptarët nuk hoqën dorë nga bukuria plastike, edhe përgjatë pandemisë. Përkundrazi, shumë persona e shfrytëzuan të punuarit nga shtëpia apo mbajtjen e maskës për të rimodeluar pamjen e tyre.

    Problem mbetet fakti se të nxitura nga presioni për t’u dukur mirë, vajzat e reja po joshen nga çmimet e ulëta në sallonet e bukurisë apo qendra estetike të pacertifikuara për të bërë fryrje buzesh apo shërbime të tjera, pa kontroll mjekësor dhe në një vakum ligjor, duke alarmuar mjekët e specializuar.

    Në një përpjekje për t’u përsosur estetikisht, për t’u ndjerë më mirë me veten apo për të ruajtur sa më gjatë një imazh të freksët dhe rinor të fytyrës, tashmë jo vetëm gratë, por edhe burrat shqiptarë janë pjesë e prirjes globale drejt kirurgjisë e ndërhyrjeve plastike.

    https://www.youtube.com/watch?v=4zPfL_eaVZs&t=28s

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!