×
  • Mjekësi
  • Mjekësi

    Të moshuarit ngelin pa bukë, arkëtarja e postës i vjedh pensionistëve 30 milionë Lekë

    Reporteri
    23 Tetor 2021 | 10:05

    Bashkëpunimi i ISSH-së me Postën Shqiptare u pretendua të sillte lehtësira për pensionistët, por jo rrallë ka sjellë shqetësime. Një denoncuese anonime për emisionin “Stop” në Tv Klan tregon, se ka prindërit pensionistë 82 dhe 77 vjeç, të cilët merrnin pensionin në Postën Shqiptare Laç. Para dy vitesh të moshuarit shkojnë për arsye shëndetësore në Itali, por për shkak të tërmetit dhe pandemisë qëndruan atje për dy vjet.

    Pasi kthehen, mësojnë se pensionin e tyre e kishte tërhequr arkëtarja Lindita Bushi. Vajza e pensionistëve interesohet tek Posta Shqiptare Laç, dhe drejtori i thotë, se problemi do të zgjidhej. Më pas në filialin e Lezhës sqarojnë, se rasti po ndiqet, dhe çështja ishte në prokurori.

    “Kemi pritur kaq gjatë, prindërit e mi janë të pamundur fizikisht, ekonomikisht, psikologjikisht, juridikisht që të bredhin nëpër zyra për të kërkuar të drejtën e tyre. Çfarë taksirati ka babai im 82 vjeç i cili vuan nga zemra, nga diabeti, nga shumë probleme shëndetësore dhe mamaja 77 vjeç po me probleme shëndetësore. Në këtë moment janë të pastrehë për hir të tërmetit, ç’taksirat kanë të bredhin nëpër gjyqe për të kërkuar një të drejtë që ua jep ligji që Posta Shqiptare duhet t’i përgjigjet në mënyrë urgjente t’i japë pensionin atyre”, është shprehur denoncuesja.

    Për këtë rast emisioni “Stop” ja pyetyr drejtuesin e Postës Shqiptare, Dega Laç, Dilaver Lika. Ai thotë, se arkëtarja Lindita Bushi pranoi, që kishte bërë vjedhjen e 30 milionë Lekëve dhe Bushi u shkarkua nga detyra, ndërsa çështja shkoi në prokurori.

    Edhe Pjerin Çuku, Drejtor i Postës Lezhë pohon të njëjtën gjë, duke thënë, se çështja do të zgjidhet, pasi të shprehet prokuroria. Por deri atëherë, të moshuarit nuk kanë para për bukë.

    “Është marrë i gjithë dokumentacioni, është ngritur grupi i punës si në filialin Lezhë dhe në degën Laç, është përpunuar i gjithë dokumentacioni, është çuar pranë organeve kompetente, gjithë dosja është vënë nën shqyrtim, është vënë në gadishmëri e gjithë struktura. Është një rast që nuk ndodh në Postën Shqiptare, është i vetmi që ka ndodhur. Është i izoluar, rast i mbyllur, po monitorohet, po hetohet dhe së shpejti do dalin dhe organet kompetente në një vendim edhe ne po mundohemi të japim një zgjidhje për pensionistët që po presin Lekët”, është shprehur Pjerin Çuku./ Tv Klan

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!