×
  • Show Time
  • Show Time

    Avokati i Fjolla Morinës flet për Reporteri: Sot, drejtësia është shkelur me të dyja këmbët, gabuan Ministria, Prokuroria, Gjykata!

    Reporteri
    21 Korrik 2021 | 18:10

    Ditën e sotme (21 korrik) Gjykata Themelore e Prishtinës ka njoftuar se këngëtares Fjolla Morina i është caktuar masa e paraburgimit prej 40 ditësh, pasi e njëjta dyshohet për trafikim me armë dhe arratisje nga vendi i paraburgimit.


    Mirëpo, me këtë vendim nuk po pajtohet avokati i këngëtares, Fanol Krasniqi, pasi sipas tij drejtësia ditën e sotme është shkelur me të dyja këmbët.

    Në një prononcim për Gazetën Online “Reporteri.net”, Krasniqi është shprehur se vepra penale trafikim me armë është vepër që për Fjolla Morinën nuk ka aktgjykim të prerë ashtu siç e përcakton ligji për marrëdhënie ndërkombëtare.

    “Sot është caktuar seanca dëgjimore me caktimin e masës së paraburgimit në procedurë të ekstradimit, ku gjatë kësaj seance janë përfshirë dy vepra penale, ajo e trafikimit me armë dhe e arratisjes nga paraburgimi. Vepra penale trafikim me armë është vepër penale që për Fjolla Morinën nuk ka aktgjykim të formës së prerë, në mungesë të vendimit të aktgjykimit të formës së prerë ashtu siç e percakton ligji për marredhënie ndërkombëtare nuk mund të iniciohet procedura as për ekstradim e as për praninë e saj në procedurë, kurse vepra penale arratisje nga paraburgimi në legjislacionin penal të Republikës së Kosovës, kjo vepër nuk e njihet, është inegzistente”, tha fillimisht Krasniqi për Gazetën Online “Reporteri.net”.

    Tutje, ai shtoi se Ministria e Drejtësisë ka shkelur ligjin duke qenë se është shkelur një vepër që as nuk e njeh legjislacioni penal.

    “Ministria e Drejtësisë me veprimet e veta, konsideroj se e ka shkelur ligjin me të dyja këmbët pasi e njëjta nga shteti kërkues ka pranuar të gjitha materialet për t’ia dorëzuar prokurorisë. Pra, fillimisht, Ministria e Drejtësisë është një lloj korigjuese e shtetit kërkues lidhur me nënshtetasen të cilën e kërkon”, shtoi avokati.

    Gjithashtu, ai për Gazetën Online “Reporteri.net” ka treguar se do të bëjnë ankesë brenda 24 orëve në Gjykatën e Apelit, teksa ka fajësuar Ministrinë, Prokurorinë dhe Gjykatën.

    Do të bëjmë ankesë në Gjykatën e Apelit brenda 24 orëve dhe të shohim se çfarë mendon kjo gjykatë lidhur me këtë çështje. Konsideroj që fillimisht ministria ka gabuar lidhur me ndalimin e Fjollës, pastaj ka gabuar Prokuroria dhe në fund Gjykata”, përfundoi Fanol Krasniqi, avokati i Fjolla Morinës.

    Ndryshe, ditën e sotme Gjykata Themelore e Prishtinës doli me njoftim për rastin në fjalë përmes një postimi të bërë në faqen zyrtare në Facebook.

    Njoftimi i plotë:

    Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Krimeve të Rënda ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit (për ekstradim) kundër të pandehurës F.M., për shkak se ekziston dyshimi i bazuar se e njëjta e ka kryer veprën penale Trafikim me armë nga neni 278 par.2 të KPRSH (Importi, eksporti, furnizimi, transporti, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse nga neni 364 të KPRK) dhe Arratisja nga vendi i paraburgimit nga neni 323 të KPRSH (Arratisja e personit të privuar nga liria nga neni 397 të të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurës F.M. e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtës i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 40 (dyzetë) ditësh, pasi që gjyqtari i procedurës paraprake paraprake ka konsideruar se janë plotësuar kushtet ligjore të parapara në nenin 187 paragrafi 1 nënparagrafi 1.1 dhe 1.2 pikat 1.2.1 të KPPK-ës, sepse po të gjendej e kërkuara në liri të do të arratisej dhe do te pengonte zhvillimin e procedurës së ekstradimit, po ashtu po të gjendej e pandehura në liri, e njëjta mund të largohet nga vendbanimi i saj dhe do të jetë e pa arritshme nga organet e ndjekjes, për shkak se nga Interpoli është lëshuar Urdhër arrest Ndërkombëtar për arrestimin e personit F.M., me kërkesë për ekstradimin e saj autoriteteve të Shqipërisë.

    Kundër këtij aktvendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

    /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!