Elseid Hysaj martohet me Miss Shqipëria, Ermal Fejzullahu u këndon në dasmë

Kalaja e Rozafës në Shkodër dje ka përjetuar një ceremoni madhështore, me dasmën e një prej bijve të saj më të suksesshëm, kapitenin e Kombëtares Elseid Hysaj.


Lojtari i Napolit ka lidhur fatin e tij me atë të modeles Fiorenza Lekstakaj, ish Miss Albania në vitin 2013.

Nga pamjet duket qartë që mbrojtësi ka përjetuar në maksimum këtë ditë të shënuar, teksa ka thirruar pjesën më të madhe të shokëve të tij të kombëtares, por nuk ka munguar edhe shoqëria italiane, ku Hysaj është rritur.

Në disa pamje, Hysaj shihet që këndon me kolegët kuqezi këngë popullore dhe patriotike, i “ndihmuar” nga zëri karakteristik i Ermal Fejzullahut.

Tradita respektohet edhe në prerjen e tortës, që ndodh falë një shpate.

Ky muaj do të mbahet mend nga Hysaj si për ditën e paharruar të martesës, si për transferimin e mundshëm drejt Atletico Madrid, që duket sikur ka “piketuar” shkodranin.