‘Humanistja’ Kim Kardashian, do t’ia paguajë qiranë për pesë vite një ish-të burgosuri

Kim Kardashian është duke vazhduar me veprat e mira. Bukuroshja amerikane ka kërkuar nga fansat e saj që të gjejnë një banesë me qira për Matthew Charles, një ish-të burgosur.


Charles ka dosje kriminale për shkak të dënimit të padhunshëm për drogë (personat që kapen duke poseduar, konsumuar apo duke shitur drogë), ndërsa 38-vjeçarja është zotuar t’i ndihmojë, duke qenë se, sipas saj, ai është një kriminel i reformuar.

Matthew Charles është liruar nga burgu në janar të këtij viti, falë reformave ligjore, në të cilat Kim është angazhuar personalisht për ta bindur presidentin Donald Trump që t’i miratojë.


Ligji ua mundëson gjykatësve që në mënyrë retroaktive t’i zbatojnë reformat lidhur me dënimet për drogë në të kaluarën.

Pos që dëshiron t’i gjejë një banesë, Kardashian ka vendosur t’ia paguajë qiranë ish-të burgosurit për pesë vitet e ardhshme.

38-vjeçarja ka bërë bujë të madhe me angazhimin e saj në lirimin e të burgosurve, sidomos pas suksesit të arritur me lirimin e Alice Marie Johnson në qershor të vitit të kaluar. Alice kishte kaluar 21 vite në burg, për shkak të dënimit për drogë.