U rrahën në mes të natës, e vërteta e sherrit midis Kejvinës, Oriolës dhe Einxhel

Rreth orës një në të gdhirë të ditës së martë, tre vajza të njohura të ekranit dhe Instagramit, Kejvina Kthjella, Oriola Marashi dhe Einxhel Shkira janë përfshirë në një konflikt fizik, në zonën e Liqenit të Thatë, ku banon ish-moderatorja e “E diell,” Shkira.


Historia nisi kur Einxhel zbriti poshtë banesës së saj për të takuar Kejvinën, e cila ishte e shoqëruar nga modelja Marashi dhe nga një diskutim “sqarimi”, sherri precipitoi në një konflikt fizik, që u vu re edhe nga patrulla e policisë e cila po bënte një kontroll rutinë në atë zonë.

E kontaktuar nga Anabel.al, Einxhel Shkira konfirmoi ngjarjen dhe theksoi se debati ishte vetëm mes saj dhe Kejvinës. Oriola thjesht kishte ardhur si “mbështetje” për shoqen e saj.

“Unë u gjenda e papërgatitur, pasi zbrita për të takuar pa asnjë paramendim, Kejvinën me të cilën kemi prej kohësh një marrëdhënie shoqërore të rregullt në distancë. Atje u përballa menjëherë me një sulm fjalësh dhe kërcënimesh. Isha një kundër dy dhe në debat e sipër, gjaknxehtësia bën të vetën,” tha Shkira.

Iconstyle.al, portali që publikoi i pari këtë lajm shkruante se shkak për sherrin ishin disa komente ironike të Einxhelit për fitoren e ish-velinës së “Xing me Ermalin” në serinë e kaluar të “Dance with me”.

Einxheli mohon të jetë e vërtetë: “Nuk ka lidhje,” tha ajo. “Arsyeja ishte banale dhe nuk kishte pse të degjeneronte në sherr, kur mund të zgjidhej njerëzisht ose të evitohej fare. Akoma edhe sot, nuk e kam kuptuar qëllimin e saj, por nga ana tjetër më vjen shumë keq që u përfshiva në një situatë të tillë, si asnjëherë në jetën time dhe që ky lajm u bë publik.”