Me datë 14 korrik, klubet e natës dhe një pjesë e artistëve të estradës do të protestojnë.
“Qeveri – let us dance” – mban moton kjo protestë e cila do të mbahet në sheshin Skënderbeu në Prishtinë, duke filluar nga ora 20:00.
Një nga artistët që do të performojë këtë natë disa nga hitet e tij, do jetë dhe këngëtari Ermal Fejzullahu.
Në një prononcim për Gazetën Online “Reporteri.net”, këngëtari është shprehur se pret që Qeveria t’a merr parasysh kërkesën e tyre për hapjen e klubeve të natës.
“Po, do të marrë pjesë në protestën e 14 korrikut. Presim që Qeveria ta marrë parasysh kërkesën tonë që klubet e natës të hapen dhe të mbahen mbrëmjet muzikore, duke qenë se ne jemi lënë anash”, tha fillimisht ai.
Tutje, Fejzullahu shtoi se mos lejimi i funksionimit të klubeve të natës dhe mbajtjeve të koncerteve ka prekur shumë sektorë, duke lënë kështu pa punë shumë njerëz.
“Kjo punë shkon zingjirë, edhe ka prekur shumë sektorë të cilët varen nga kjo gjë, ku një pjesë e madhe e njerëzve kanë humbur punën”, tha Ermal Fejzullahu për Reporteri.net.
Emra tjerë që do i bashkohen kësaj proteste do jenë, Dafina Zeqiri, Capital T, Tayna, Dj PM, Dj Dagz.