Ne të gjithë jemi mësuar me batutat e saj, me komunikimin e drejtpërdrejtë, por edhe me thumbat që nuk i kursen asnjëherë përballë askujt, por nuk jemi mësuar ta shohim Fatmën si sot – të përlotur në publik, krenare për motrën dhe meritat që Jona Haxhialiu i ka fituar me shumë mund dhe djersë për të realizuar ëndrrat e saj.
Ndonëse kanë 10 vite diferencë, Jona dhe Fatma kanë një marrëdhënie shumë të fortë me njëra-tjetrën. As këtë nuk e kishim ditur deri në çastin që Fatma, motra e madhe, postoi një status të gjatë në profilin e saj, duke përshkruar sakrificat e Jonës për t’ia dalë të diplomohej në Holandë.
Sot, pas gjithë atij rrugëtimi dhe pas shumë peripecive, e vetme, Jona arriti të mbyllë me sukses studimet 3-vjeçare dhe tashmë punon në Holandë si asistente pedagoge. Për këtë raport të ngushtë me njëra-tjetrën dhe me vëllanë e tyre, Florin, Fatma dhe Jona ishin të ftuara në “Rudina”, nga ku emocionet nuk i menaxhuan dot.
“Unë me Jonën nuk e kam ndjerë asnjëherë diferencën e moshës. Ne kemi 10 vite diferencë dhe kur unë isha 10 vjeç e kisha Jonën kukullën time të preferuar. i krihja flokët, ia modeloja, i vishja çfarë të doja, kur u rrit pak më shumë ishte një nga shoqet e mia të ngushta sepse dëgjonim të njëjtën muzikë, kërcente me mua” – tregon Fatma për të motrën.
“Por Jona,– vijon ajo më tej, – ka qenë nxënëse ekselence edhe kur ishte këtu, e dinte që nuk i përkiste këtij vendi. Nuk mori as edhe një 50 mijë lekësh që i takonte nga bashkia dhe që nxënësit ekselentë duhej ta merrnin. U ndie e ofenduar. Ajo që adhuroj unë tek Jona është ambicia dhe këmbëngulja, është e jashtëzakonshme….”
Ndërsa kujton kohën kur Jona do të merrte një vendim për të ardhmen e saj, në vitin 2015, Fatma e ka të vështirë t’i përmbajë lotët (di gjithmonë t’i menaxhojë emocionet, por jo sot, jo në këtë rast) kur kujton se familja e saj po jetonte një kohë shumë të vështirë ekonomike. Ndonëse prej vitesh, prindërit u kishin siguruar tre fëmijëve mirëqenie, si të gjitha familjet, kishte një çast delikat edhe për ta, që fatkeqësisht, përkoi me kohën kur Jonës i duhej të zgjidhte. Por ajo ishte e vendosur për të studiuar jashtë. E dinte mirë që familja e kishte të vështirë ta mbështette ekonomikisht, ndaj bëri të pamundurën që, si fillim, të fitonte gjysmë burse, pjesën tjetër do ta siguronte duke punuar.
“Unë fillimisht aplikova në Suedi, sepse gjeta një bursë të plotë, por dëshira ishte që të vazhdoja Astronomi. E kisha shumë pasion hapësirën dhe mënyrën e formimit të universit. Por Astronomia ishte në suedisht dhe jo anglisht dhe detyrimisht aplikova për Fizikë, sepse edhe Astronomia është 99% Fizikë dhe mund të merrja specializimet brenda fushës. Por kur arrita në Suedi pata një shok, sepse s’isha mësuar të jetoja vetëm”,- tregon Jona.
“Është shumë e vështirë kur prindi shikon një fëmijë që impenjohet, që lexon e studion kaq fort dhe nuk ka mundësi që ta rritë këtë fëmijë akoma më shumë dhe t’i japë atë që i takon, sepse realisht e meritonte. Mami im është tip shumë i fortë, nuk është nga ato që përlotet kollaj, por më ka parë në sy atë ditë dhe më thotë ‘Si mundet një prind të qëndrojë përpara fëmijës së tij kur ai i kërkon libra? Nuk po më kërkon as luks, as të bëjë udhëtime, as veshje, as gjëra që mund të jenë dytësore. Më thotë vetëm ‘mami, unë dua një libër’”…. – rrëfen Fatma pa i përmbajtur lotët dhe dridhjet e zërit.
Jona ka lexuar shumë përgjatë këtyre viteve dhe vazhdon ta bëjë akoma. Por tani, më shumë se çdo gjë tjetër në jetë, vlen shumë mbështetja e madhe e familjes së saj, e motrës, vëllait dhe, pa dyshim, prindërve. Këta të fundit nuk i mësuan tre fëmijët me luks, përkundrazi. Me aq mundësi sa kishin, u krijuan hapësira për të fituar pavarësinë që, më vonë, të kuptonin se ëndrrat janë të mundura nëse i do me zemër e këmbëngul fort për t’i pasur…