Këngëtarja Rita Ora ka dy ditë që po qëndron në Tiranë së bashku me familjen e saj, pasi sonte artistja me famë botërore do të performojë me fillim nga ora 20:00 në sheshin Skënderbej, raporton Gazeta Online Reporteri.net.
Gjatë ditës së sotme, Rita pati edhe një konferencë për media, shoqëruar nga kryetari i Bashkisë së Tiranë, Erion Veliaj.
Në konferencë, Ora foli edhe për mundësinë e një bashkëpunimi me Duan dhe këngëtaret e tjera shqiptare të njohura ndërkombëtarisht, si Bebe Rexha dhe Ava Max, derisa u shpreh se mund të ‘llogarisin në të’.
“E kuptova. Kur unë fillova në 2011-2012, ndjeva se kisha shumë më shumë presion për ta futur vendin tim në hartën globale dhe mendova që jam e vetmja në atë kohë. Tani jam e çliruar që kam shumë më shumë nga vendi im në fushën time, por edhe në fushat e tjera. Ne kemi shumë talent si ato që përmende, dhe do të ishte një ëndërr për mua që një ditë të bëhemi të gjitha bashkë, në kohën e duhur. Të gjitha e kanë axhendën e ngjeshur, por në kohën e duhur, po, mua mund të më llogarisni”, tha Rita Ora.
Këngëtarja shqiptare nuk la pa përmendur edhe rastin e 11-vjeçares në Prishtinë, derisa po fliste për të ajo u pa e përlotur.
“Ju kërkoj ndjesë sepse mund të jem emocionale. Ajo çfarë ndodhi në Kosovë na bëri të kujtojmë edhe një herë se sa e rëndësishme është për prindërit që të punojnë me fëmijët që këto ngjarje mos përsëriten më”, tha Rita Ora./Reporteri.net/