×
  • Lajme
  • Shqipëria

    16-të atentatet dhe vrasjet mafioze që kanë tronditur Shqipërinë brenda 3 muajve

    Reporteri
    23 Mars 2019 | 19:50

    Prej fillimit të vitit e deri më sot, vrasjet, ekzekutimet mafioze, atentatet kanë qenë kryefjala e lajmeve në Shqipëri.

    Shqipëria ndodhet nën kthetrat e krimit dhe situata duket se është jashtë kontrollit për Policinë e Shtetit.

    Pavarësisht se qeveria dhe ministria e brendshme propogandojnë për shtim të forcës goditëse ndaj krimit dhe një polici në krye të detyrës, shifrat e regjistruara deri tani tregojnë krejt të kundërtën.

    Vetëm në javën e fundit kemi patur plot 7 vrasje, ndërsa që prej fillimit të vitit e deri sot numri i të vrarëve arrin në 19.

    Bilanc i vërtetë lufte…

    Të gjitha atentatet, ekzekutimet maftioze dhe vrasjet që prej fillimit të 2019:

    Më 2 Janar, krimi në familje tronditi mbarë opinionin, kur në ditën e dytë e Vitit të Ri, Gazmend Musta, pas një sherri banal vrau me thikë gruan dhe motrën e saj.

    Më 14 janar, një tjetër krim, madje i trefishtë, tronditi Tiranën. Në 05:30 të mëngjesit të së hënës, Majlind Lila shkoi në rrugën “Kristaq Mone”, në zonën e njohur si “Astiri” në kryeqytet, aty ku jetonin prindërit e ish-gruas, të cilët i ekzekutoi.

    Më 15 janar, një atentat mafioz u shënua në Vlorë. Dy persona ende të paidentifikuar qëlluan me breshëri ndaj një automjeti tip ‘Audi’ me targa AA 653 VC ku udhëtonte 41-vjeçari Mikel Mehmeti.

    Më 18 janar në Korçë, Olger Mustafaj, një ish-i dënuar për plagosje, vrau Altin Balliu.

    Më 24 janar, 34-vjeçari Arben Gjeci u godit në kokë me hekur dhe më pas ndërroi jetë në Spitalin e Traumës.

    Më 30 janar, 50-vjeçari Arben Bilali, ish-efektiv policie, u ekzekutua me breshëri automatiku pranë banesës së tij në zonën e Selitës.

    Më 6 shkurt, Teodor Lera, nga Vlora vrau bashkëshorten e tij, Eva Lera.

    Më 13 shkurt, Lirie Xhepa u qëllua për vdekje me 3 plumba pistolete, shumë pranë banesës së saj. Ajo u gjet e pajetë mes shkurresh nga banorët e zonës së Kodër-Sharrës.

    Më 17 shkurt, një krim i rëndë tronditi Vlorën. Dy persona u ekzekutuan me armë zjarri, ndërsa një tjetër mbeti i plagosur. Të vrarë kanë mbetur shtetasit Aurest Rexho dhe Arjan Hasani. Ndërsa i plagosur ka mbetur shtetasi Armando Sulejmani, 42 vjeç, i cili dyshohet se ka qenë dhe shënjestra e atentatit për shkak të të kaluarës së tij dhe precedentëve.

    Më 24 shkurt, një ngjarje e rëndë ka shokuar Durrësin. Një 45-vjeçar është ekzekutuar me kallashnikov pas një zënke që ka pasur me autorin e vrasjes në një lokal.

    Më 15 mars, është vrarë Esat Kotorri, pronari i një furre buke në Kavajë.

    Më 16 mars u vra në Parkun e Liqenit Artificial në Tiranë Haxhi Baçinozi.

    Më 18 mars, u ekzekutua pranë banesës së tij në Tiranë Jurgen Kurti. Ngjarja e rëndë ndodhi në zemër të kryeqytetit, në rrugën “Zef Jubani”.

    Më 20 Mars, pas një atentati me armë zjarri në Shkodër u ekzekutua Ferdinand Polia. 35-vjeçari u qëllua me breshëri automatiku teksa ishte duke udhëtuar me automjetin e tij.

    Më 22 mars, ekzekutohet në qendër të qytetit të Elbasanit, në mënyrë mafioze, avokati Ravik Gurra. Ai ka qenë përfaqësuesi ligjor i Emiliano Shullazit dhe pjesëtarëve të familjes Çapja në Elbasan.

    Sot, më 23 mars, një krim i rëndë në familje është regjistruar në qytetin e Gramshit. Një 35-vjeçar me inicialet A.H ka mbytur bashkëshorten e tij.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!