×
  • Lajme
  • Shqipëria

    6 kallëzime për shembjen e Teatrit Kombëtar, SPAK nis marrjen në pyetje

    Reporteri
    29 Shtator 2020 | 22:39

    Prokuroria e Posaçme, SPAK, nis të marrë në pyetje anëtarët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit. Ata do të japin shpjegime lidhur me gjashtë kallëzime të bëra kundër zyrtarëve të lartë për vepra penale të kryera gjatë tjetërsimit të truallit dhe prishjes së Teatrit.


    Burime pranë SPAK konfirmuan se gjashtë kallëzimet janë bashkuar dhe po hetohen si një dosje e vetme. I pari anëtar i Aleancës që dha shpjegime në SPAK ishte avokatja Adriana Kalaja. Paraditen e së martës, Kalaja dha shpjegime para Oficerëve të Policisë Gjyqësore lidhur me pretendimet e ngritura në kallëzimet e AMT për vepra penale të kryera nga zyrtarë të qeverisë, bashkisë dhe policisë në çështjen e Teatrit.

    Pyetja e saj do të vijojë edhe gjatë ditës së mërkurë. Burime pranë Aleancës konfirmuan se ende nuk është thirrur për të dhënë deklarime ndonjë anëtar tjetër. Në kallëzimet e saj, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka drejtuar gishtin e akuzës ndaj kryeministrit Edi Rama, ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj, kreut të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, kryebashkiakun ErionVeliaj dhe anëtarët e Këshillit Bashkiak, apo edhe anëtarë të Institutit Ndërtimor lidhur me procesin e tjetërsimit të pronës nga Ministria e Kulturës te Bashkia Tiranë, e më tej prishjen e godinës së teatrit. Në kallëzimet e depozituara artistët pretendojnë se gjatë këtyre veprimeve janë konsumuar vepra penale të “korrupsionit”, “shpërdorimit të detyrës”, si edhe “vrasje me dashje”, mbetur në tentativë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!