×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Ambasada amerikane zbardhë bisedën e Palmer me Metën, Ramën e Bashën

    Reporteri
    06 Prill 2021 | 21:14

    Ambasada amerikane ka zbardhur bisedën e Zv. Ndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA Matthew Palmer me Presidentin Ilir Meta, Kryeministrin Edi Rama dhe Kryetarin e PD-së Lulzim Basha.


    Në një postim në faqen zyrtare në “Facebook” të ambasadës, shkruhet se Palmer theksoi se ata kanë përgjegjësi që zgjedhjet e ardhshme të jenë të të ndershme dhe transparente.

    Zyrtari amerikan theksoi mbështetjen e SHBA për reformën në drejtësi.

    Postimi i ambasadës

    Gjatë një “vizite virtuale” në Shqipëri në 6 Prill, Zv. Ndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA Matthew Palmer u takua me Presidentin Meta, Kryeministrin Rama dhe Kryetarin e PD-së Basha, për të konfirmuar rëndësinë e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri ndërsa festojmë 30-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike.

    Ata rikonfirmuan përkushtimin tonë të përbashkët për të zgjeruar bashkëpunimin dypalësh në fushën e demokracisë, mbrojtjes dhe biznesit. Me secilin prej udhëheqësve, Zv.Ndihmës Sekretari Palmer theksoi rëndësinë e roleve të tyre përkatëse, përfshirë edhe rolet institucionale të Presidencës dhe Kryeministrisë ashtu siç përcaktohen në Kushtetutë.

    Institucionet dhe udhëheqësit politikë mbartin përgjegjësinë për t’u siguruar që zgjedhjet e ardhshme të jenë të lira dhe të ndershme, me rregulla që janë të paanshme, transparente dhe në kohë. Zv.Ndihmës Sekretari Palmer gjithashtu përforcoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për zbatimin e reformës në drejtësi, duke vërejtur përparimin domethënës që është bërë gjatë vitit të fundit.

    Gjatë një tryeze të rrumbullakët me përfaqësues nga institucionet e drejtësisë, shoqëria civile dhe media, ai i nxiti këta “Kampionë të Reformës në Drejtësi” në përpjekjet e tyre, në mënyrë që populli shqiptar të ketë drejtësi të vërtetë. Në fund, Zv. Ndihmës Sekretari Palmer theksoi rëndësinë strategjike të stërvitjes ushtarake Defender 21, e cila do të jetë stërvitja më e madhe ushtarake shumëpalëshe që zhvillohet në Ballkanin Perëndimor. Zv.Ndihmës Sekretari Palmer dhe zyrtarë të tjerë amerikanë presin me kënaqësi që të rifillojnë vizitat fizikisht sapo rrethanat t’i lejojnë ato.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!