Arrestohet 31-vjeçari, posedonte më shumë se 1 kg heroinë

Një 31-vjeçar është vënë në pranga në Tiranë për shpërndarje të lënëve narkotike.


Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 3 Tiranë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative nga burime të ndryshme, finalizoi operacionin policor të koduar “Porosia ”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit Endrit Zeqaj, 31 vjeç, banues në Tiranë.

U mësua se në një banesë në rrugën “Asdreni”, kishte një sasi të konsiderueshme lënde narkotike të llojit heroinë dhe personat që e dispononin ua shisnin shpërndarësve sipas porosive që bënin.

Në banesën e Endrit Zeqajt u zhvillua një kontroll, ku policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 1 kg e 75 gr. lëndë narkotike të dyshuar heroinë, një pjesë e së cilës ishte ndarë në doza gati për shitje, 1 aparat celular dhe një automjet.

Vazhdon puna intensive për zbardhjen e plotë të veprimtarisë kriminale, identifikimin dhe kapjen e  personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore, për veprën penale ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. /Reporteri.net/