×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Bilanci i Lulzim Bashës: Sa palë zgjedhje ka humbur PD nën drejtimin e tij dhe refuzimi për të dhënë dorëheqjen

    Reporteri
    28 Prill 2021 | 9:10

    Lulzim Basha refuzoi të japë dorëheqjen nga drejtimi i Partisë Demokratike pavarësisht se humbi me diferencë të thellë ndaj Partisë Socialiste në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, duke marrë 15 mandate më pak.


    Në një dalje për mediat, Basha foli për një “humbje të suksesshme”, pasi, sipas tij, përballë kishte një regjim.

    Krah Xhelal Mziut, Flamur Nokës dhe disa figurave të reja të PD, Basha nuk vuri në praktikë minimalisht as veprimin e paraardhësit të tij, i cili hoqi dorë “de juro” nga partia, pas humbjes në 2013.

    Duke refuzuar zërat kundër dhe duke anashkaluar bilancet dramatike në krye të PD, Basha foli për një betejë të re për demokracinë, edhe pse nuk ka fituar asnjë betejë si lider opozite.

    Sa palë zgjedhje ka humbur Basha

    Lulzim Basha mori drejtimin e Partisë Demokratike në vitin 2013, pas fitores së zgjedhjeve nga opozita e asaj kohe. Ka patur shumë akuza, se më shumë se një garë, ai u paracaktua apo vendos në krye të selisë blu nga ish-paraardhësi i tij, i cili dha dorëheqjen pasi u mposht nga Rama.

    Edhe pse tentoi të ekspozohej në publik si një lider me vokacion perëndimor, kreu i PD u bë pjesë e disa vendimeve tepër të debatueshme, që kulmuan me djegien e mandateve dhe bojkotimin e zgjedhjeve lokale të 2019. Dy vendime që çuan në dobësimin e mëtejshëm të PD-së nën drejtim e tij dhe daljen plotësisht nga sistemi.

    Nëse do të përmblidhnim edhe zgjedhjet e pjesshme lokale në Korçë dhe Dibër, shifrat flasin qartë kundër Bashës. Bilanci i tij në drejtim të PD është humbja e thellë në 6 palë zgjedhje.

    Në drejtimin e Lulzim Bashës, Partia Demokratike ka humbur zgjedhjet lokale të 2015, zgjedhjet parlamentare të 2017. Lideri i PD ka humbur edhe dy palë zgjedhje lokale në Korçë dhe Dibër, ndërsa i fali Ramës në tavolinë edhe të gjitha bashkitë e vendit, pasi braktisi zgjedhjet lokale të 2019.

    Shpresa e fundit e tij ishin zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, të cilat praktikisht i dhanë edhe goditjen finale. Me humbjen e zgjedhjeve të fundit, Basha ka vulosur qëndrimin në opozitë të PD-së, të paktën deri në vitin 2025.

    Pavarësisht rebelimit që duket se po lind në PD, ku ka zëra që kërkojnë largimin e tij, Basha, ka vendosur që të mos lëvizë nga karrigia e selisë blu. Një qëndrim që vetëm perëndimor nuk është.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!