×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Çfarë shkruhet në kërkesën për shkarkimin e Metës: Presidenti nxiti vetëgjyqësi

    Reporteri
    03 Maj 2021 | 13:18

    50 deputetë të Kuvendit kanë firmosur kërkesën për të nisur procedurat për shkarkimin e Presidentit, Ilir Meta.


    Në kërkesën drejtuar Kuvendit të Shqipërisë për shkarkimin e Presidentit të Republikës, ata kanë renditur provat, që sipas tyre, tregojnë që Kreu i Shtetit ka shkelur Kushtetutën.

    Deputetët e PS, nga Taulant Balla, te Pandeli Majko e Spartak Braho, risjellin në vëmendje disa deklarata të forta të Presidentit Meta, të bëra para, gjatë dhe pas fushatës elektorale të zgjedhjeve të 25 prillit, ku ai bën thirrje që të mprehen sfurgjet të dielën nëse preket vota.

    Ndër të tjera në dokument thuhet se nxitja e dhunës nga ana e Kreut të Shtetit ka sjellë edhe humbjen e jetës së një personi, duke iu referuar ngjarjes së Elbasanit më 21 prill.

    “Me sjelljen e tij, mesazhet drejtuar publikut me qëllim përkrahjen e nxitjen e vetëgjyqësisë, të cilat në Elbasan çuan edhe në humbje jete, terrorit, aktet e dhunës në rrugët e vendit në prag të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë, mesazhet dhe sjelljet e intimidimit të votuesve, gjyqtarëve dhe prokurorëve, forcave të policisë, përfaqësuesve të lartë të misioneve diplomatike, çuan në cënimin e imazhit të Shqipërisë në botë dhe cënimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë në rajon dhe më gjerë”, thuhet në kërkesën e PS.

    Disa nga deklaratat e Presidentit Ilir Meta, që citohen në kërkesën e PS me 41 faqe:

    “Kërcënimi i fundit që vjen përmes Tao Taos, nga bandat e Elbasanit dhe të gjithë Shqipërisë, ka vetëm një përgjigje: Presidenti gati për të firmosur dekretin për mbrojtjen e Republikës! Shqipëria e shqiptarëve! Vdekje tradhtarëve!”

    “Të dashur prokurorë dhe gjyqtarë! Dëgjojeni mirë Presidentin e Republikës! Boll dëgjuat përfaqësuesin e Ndrangheta-s, Don Agaçion. Nëse jo, një pikë gjaku të derdhet nesër, por edhe një pikë loti, mjerë ju! Nesër duhet të jetë Festa e Demokracisë!”

    “Cfurqet do jenë të dielën, nëse preket vota. Zgjedhje si të Shijakut dhe të Dibrës, nuk do të ketë më. Kjo histori ka marrë fund…”.

    “Lidheni të marrin shokë socialistë përpara se të ketë fatin e furgonit në Berat… Unë do shkoj në shtëpi, kur ti të shkosh në psikiatri”.

    “Bravo qytetarëve të Beratit! Gjejini! Izolojini! Mos i toleroni! Nuk ka patronazhist, fuks dhe bandit, që mund të ndalë ndryshimin e madh më 25 prill! ‘Ngrehuni dhe bjeruni, korini dhe shtypini, katundar e punëtorë, që nga Shkodra gjer në Vlorë’! Me qetësi dhe vendosmëri drejt 25 prillit!

    “Janë të shqetësuar nga mesazhet e Presidentit! Le të shqetësohen dhe le të tmerrohen të gjithë ata, të cilët mendojnë se do bëjnë “tërmet” në zgjedhje, si në Dibër, apo si në Shijak, qofshin këta qeveritarë, punonjës policie; qofshin banditë, gjithçka qofshin”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!