×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Djali u vra gabimisht në Vlorë, vëlla e motër gjejnë vdekjen njëri pas tjetrit nga Covid-19

    Reporteri
    29 Tetor 2020 | 14:21

    Prej dy ditësh qytetin e vogël të Prrenjasit e ka pllakosur zia. Që prej marsit, kur nisi pandemia e deri tani, ky qytet që është njohur më së shumti për minierat e hekur-nikelit ka shënuar një tragjedi të vërtetë me dy viktima nga Covid.


    Motër e vëlla humbën jetën nga koronavirusi në të njëjtën ditë, duke lënë të shokuar cilindo që ka njohur Agron dhe Irena Bajlozin. Mësuese Irena dhe efektivi i Policisë Agroni janë viktimat e para të kësaj pandemie në Prrenjas.

    Në shkollën “Qybra Sokoli” ku jepte mësim Irena Bajlzoi ka pllakosur heshtja. Kolegët të tronditur nuk e besojnë atë që ka ndodhur. Nxënësit mëngjesin e kësaj të enjteje e kishin të pamundur të hynin në shkollë.

    Agron Bajlozi ishte efektiv i Policisë Kufitare në Qarë Thanë, ku edhe mendohet se është infektuar. Ai është babai i Serdi Bajlozit, 17-vjeçarit që mbeti i vrarë gabimisht në 28 korrik të vitit 2013 në Vlorë. 17-vjeçari ishte asokohe duke bërë pushimet tek halla e tij, ndërsa një plumb i mori jetën gjatë një atentati me shënjestër Sokol Isufaj.

    Serdi ishte nisur drejt Jugut, për të bërë pushime te halla e tij, ashtu si çdo vit. Prindërit i kishin kërkuar që të kthehej të dielën, që të bëheshin gati për ditëlindjen e tij, por ai nuk ua realizoi këtë premtim atyre.

    Edhe sot pas 7 vitesh, fotoja e Serdit është në murin e shkollës së mesme “Halit Bërzeshta”, si një ndër nxënësit më të mirë të shkollës. Por, tragjedia e ka pllakosur familjen. Pas humbjes së djalit 7 vjet më parë, vëlla e motër pak orë larg njëri-tjetrin gjetën vdekjen. Ata nuk e fituan vdekjen me virusin e rrezikshëm.

    Marija, mësuese e lëndës së Historisë në një shkollë 9-vjeçare, në qytetin e Përrenjasit do i duhet të përballojë krejt e vetme tragjedinë në familjen e saj.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!