Flasin gruaja dhe vajza e 71-vjeçarit që u ekzekutua nga RENEA: Babai nuk na ka dhunuar kurrë! Pse e telefonova policinë

Gruaja dhe vajza adoleshente e 71-vjeçarit Lefter Zhidru kanë folur për herë të parë para kamerave për atë që ndodhi më 24 shtator, ku për 5 orë policia tentoi që të negocionte për dorëzimin e tij, por ngjarja përfundoi me vrasjen e të moshuarit nga forcat RENEA. Vendimi u mor pasi 71-vjeçari qëlloi disa herë në drejtim të efektivëve, të cilën hynë në banesën e tij për ta arrestuar.


Vajza e tij 14-vjeçare tregon se ishte ajo që telefonoi policinë atë ditë, për të raportuar për një konflikt të çastit që të merrte fund, por sipas saj nuk raportoi që ishte dhunuar.

“Unë kam qenë shumë e lidhur me babin. Nuk kishte çfarë na ndante. Nuk më bërtiste dhe nuk më qortonte. Atë ditë dhe me mua ishte agresiv, por nuk më thoshte gjë. Shikime bërtitje. Ishte ndryshe në fytyrë. Babi sa vinte dhe bëhej më shumë agresiv. Mora çelësin dhe hap derën, duke nxituar i thashë dhe mamit dil dhe ti. Babi të qetësohet e ta lëmë me kaq. Në media është thënë që ai na dhunonte. Nuk mund ta mendoja që babi të kishte armë. Nuk më dhunonte. Ai për mua jepte jetën”, tregon e bija në emisionin ‘Pa gjurmë’.

Ndërsa bashkëshortja e të ndjerit Floresha është shprehur me lot në sy, se 71-vjeçari ishte kthyer nga Tirana, ku kishte marrë materiale për punën, dhe pas ardhjes në shtëpi ishte shumë i tensionuar:

“Ne dolëm vetë të qeta dhe e lamë bashkëshortin të qetësohej , dhunë jo nuk ka pasur, por agresiviteti që kishte për momentin na frikësoi mos ndodhte gjë se kisha gocën dhe ikëm me nxitim, nuk munda t’i vesh dot këpucët”.

Pas ngjarjes në banesë u gjetjen një sasie armësh dhe municionesh në banesë, për të cilat vetë familja e tij nuk kishte dijeni për ekzistencën.

“Ne kemi pastruar të gjithë shtëpinë dhe nuk kemi gjetur kurrë armatime. Vetëm 1 muaj më parë kemi pastruar të gjithë shtëpinë si dhe dhomën ku ai mbante materialet e punës. Kemi hequr të gjitha materialet e panevojshme dhe i kemi hedhur. Lefteri kishte dhomën e tij të materialeve të punës që përgjithësisht ishim hekurishte, mjete gomisterie, makineri të ndryshme, por jo armë, nuk ka pasur kurrë armë apo tritol”, tha bashkëshortja.

“Disa ditë përpara se të fillonte shkolla, unë dhe mami shkuam tek gjyshërit. Vetëm atëherë mund t’i ketë futur armët”, tregon e bija.

Ndërkohë për momentin kur ndodhi ngjarja, vajza e kujton kështu:

“Babi doli në ballkon pak më vonë se erdhi policia. Policinë e kërkova unë që babi të qetësohej dhe të mbyllej kjo ngjarje, thjeshtë njoftuam policinë për një konflikt as dhunë dhe as psikologë nuk kemi kërkuar. Na futën në një makinë përballë pallatit dhe nga makina pamë babin në ballkon dhe me armë në dorë. Menduam se gjuajti policia”.

Gruaja dhe vajza e 71-vjeçarit që u ekzekutua nga RENEA flasin para

“Policia na e bëri këtë. Pas 15 minuta na çon në komisarit dhe policisë i them që nuk është njeri i dhunshëm. I kërkuam na jepni në telefon që të flasim, jo njëherë po disa herë. I kam kërkuar të mos ma vrasin burrin pasi është i pafajshëm. Le të dënohet për atë që ka pasur. Nuk na lanë të komunikonim, kemi qenë në komisarit deri në 12 të natës, nuk na linin të dalin. I thosha jepjani cupes të flasë me të atin, nuk ka informacion na lejonin”, tha bashkëshortja e Lefterit.

Ditën e ngjarja, u raportua se bashkëshortja e viktimës kishte paralajmëruar policinë që të bënin kujdes pasi në shtëpi kishte armë, deklaratë e cila u hodh poshtë pas vrasjes së tij.

Për ngjarjen Floresha Zhidru shprehet se fajtor për gjendjen e rënduar psikologjike të bashkëshorti të saj është konflikti 6-vjeçar më fqinjin Arjan Kalemaj, ku shkak ishte bërë gërvishtja e makinës nga ky i fundit.

Si ndodhi ngjarja:

Në numrin e policisë mbërriti një telefonatë, që denonconte se Lefter Zhidru kishte ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij në banesën e tyre në katin e dytë të një pallati. Katër efektivë të policisë u nisën drejt vendit të ngjarjes, kur i moshuari qëlloi me armë zjarri. Ata u ngjitën në katin e tretë të pallatit duke shmangur përplasjen me të moshuarin. Më pas Zhidru qëlloi në drejtim të dritares ku për pasojë u plagosën lehtë dy të rinj, kalimtarë në zonë. Në ndihmë të efektivëve të policisë mbërritën forcat e RENEA-s dhe FNSH të cilët kanë tentuar të ndërhyjnë për të bërë të mundur neutralizimin e 71-vjeçarit. Negociatat zgjatën për 5 orë derisa u mor vendimi për të ndërhyrë, kur i moshuari qëlloi në drejtim të tyre, të cilët iu kundërpërgjigjën.