×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Gent Cakaj: 350 persona mbajnë pasaporta diplomatike në kundërshtim me ligjin

    Reporteri
    09 Prill 2019 | 14:15

    Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj ka kërkuar dorëzimin e pasaportave diplomatike për 350 persona. Sipas tij këto pasaporta janë në kundërshtim me ligjin.


    “Shqipëria ka dyfishin e pasaportave diplomatike krahasuar me vendet e fuqishme evropiane. Kjo nuk është një krahasim për qëllime stilistike, por ky është një fakt”, ka thënë Cakaj.

    Në shkelje flagrante edhe të këtij kuadri ligjor dhe admistrativ sot në Shqipëri ka më shumë se 350 persona që mbajnë pasaportë diplomatike në shpërputhje me ligjin, që hyjnë e dalin si personalitete me status të veçantë. Deputetë të mandateve të kaluara, gjykatës që nuk e kanë kaluar vettingun, deri tek shoqërues të personaliteteve të njohura në Shqipëri.

    I ftoj publikisht të gjithë të bëjnë dorëzimin e pasaportave diplomatike, sepse pasaporta e tyre diplomatike do të bllokohet dhe do të shpallet e pavlefshme.

    Cakaj tha se do ti kërkojë qeverisë abrogimin e vendimit për lëshimin e pasaportave diplomatike.

    “Këto janë çudira që kanë vazhduar për 20 vite dhe kanë cënuar rëndë besueshmërinë e pasaportës shqiptare në sistemin ndërkombëtar të pasaportave diplomatike. Rrjedhojë e kësaj besueshmërie të barabartë me zëro është edhe hezitimi por edhe refuzimi i shumë vendeve evropiane dhe më gjerë për të liberalizuar reciprokisht lëvizjen e bartësve të pasaportës diplomatike, e si mund të flasim pastaj për liberalizimin e pasaportave të zakonshme. Unë do ti përcjell qeverisë për vendim abrogimin e VKM -së që u jep të drejtën e pasaportës diplomatike drejtuesve të anëtarëve të bordeve, udhëheqësve të enteve e autoriteteve të ndryshme rregullatore deri tek shoferët e institucioneve të caktuara. Plani i veprimit për ndryshimin e kuadrit ligjor dhe administrativ për lëshimin e pasaportës diplomatike është gati dhe është në përputhje me standardet me rigoroze evropiane për bartjen e pasaportës diplomatike”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!