×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Histori në kohën e Covid-19, rrëfimi i infermieres: Si i kurojmë pacientët

    Reporteri
    27 Shtator 2020 | 23:57

    Ajo është 47-vjeç dhe prej vitesh punon si infermiere në spitalin “Shefqet Ndroqi” në Tiranë.


    Jeta e ka përplasur shumë herë, por Entela është ngritur sërish në këmbë, më e fortë se më parë.

    Gruaja e re jeton me të ardhurat që merr nga profesioni dhe shpeshherë i duhet të punojë dhe shërbim privat në shtëpi.

    Pandemia e koronavirusit e gjeti me një fluks të madh pune në urgjencën e spitalit.

    Por shumë shpejt, nevoja për terapi në shtëpi u kthye në nevojë urgjente për shumë familje të prekura nga pandemia dhe infermiere Entela nuk ngurroi të përgjigjej.

    “Puna ime nis në orën 6 të mëngjesit. Pjesa më e madhe e terapive është në mëngjes, por unë i alternoj sipas turneve. Gjatë kohës që paraditeve jam në urgjencë, pasdite ndjek terapitë. Po kështu dhe në javët që jam pasdite në punë, e nis shërbimin që në mëngjes herët për të mos lënë asnjë pacient pa mjekim. Shpeshherë më qëllon të dal në orën 6 të mëngjesit dhe të përfundoj në mesnatë në shtëpi”, nis të tregojë Entela për gazetën “Shqip”.

    Në fillim të muajve të parë të pandemisë, askush nuk e dinte se të ndiqje terapinë e mjekimit ndaj Covid në shtëpi do të rezultonte më shumë efikase sesa të përfundoje në spital. Atëherë, të gjithë telefononin nr 127 për të kërkuar ndihmën e urgjencës. Por kjo solli mbipopullim dhe infermierët në banesë u kthyen në engjëjt mbrojtës të pacientëve të sëmurë.

    Entela thotë se miqësohet shpejt me ta. Terapia është e gjatë, me shumë medikamente të përfshira në të që duan vëmendje për ti marrë në kohën e duhur dhe në mënyrën e duhur. Infermierja gjithnjë buzagaz kryen detyrën e saj në mënyrë të përpiktë. Në fillim e nis me antibiotikët që pothuajse pjesa më e madhe i marrin intravenozë. Më pas injekton Dexametazonin e kur mbaron me të gjitha gjilpërat kryen matjen e tensionit, matjen e temperaturës së trupit dhe saturimin e gjakut (oksigjenin në gjak).

    Entela kujdeset që të jetë aty derisa të kalojë rreziku i ndonjë reaksioni në antibiotikë apo ulje të parametrave që Covid shkakton nganjëherë gjatë terapisë.

    “Në çantë kam gjithmonë gjilpëra dhe aparatura. Nganjëherë qëllon që kur jam në ndonjë familje duke ndjekur terapinë, telefoni të bjerë dhe një rast urgjent më referohet. Janë kryesisht miq të mi që më adresojnë rastet ku ata duan të shkoj. Dhe kështu, dita e programuar për tu mbyllur me terapinë e fundit, nuk mbaron aty. Një tjetër rast më pret dhe nuk jam mësuar të refuzoj”, thotë për “Shqip” infermiere Entela.

    Një rast i fundit ishte një gjysh 82-vjeçar që jetonte pranë ish-kryegjyshatës. Entela thotë se në familje ishin të gjithë të prekur me koronavirus, djali, nusja dhe dy fëmijët, por gjyshi për shkak dhe të moshës ishte rënduar më shumë.

    Për 2 javë, Entela kujton se shkonte dy herë në ditë në familjen e tij për të kryer injeksionet, dhe ndjekur terapinë.

    “Nuk janë vetëm injeksionet. Sipas porosisë së mjekut të familjes, unë çdo 5 ditë marr mostrat e gjakut dhe i dërgoj për analizë në laborator. Më pas sugjeroj tek familjarët një regjim ushqimor të mirë të pasur në fruta dhe perime dhe sa më shumë lëngje. Gjëja e parë që u them pacientëve të mi është që të më ndjekin me këshillat”, thotë Entela.

    Por vala e madhe e rasteve të infektuara ka riskuar tepër dhe jetën e profesionistëve të shëndetit. Entela thotë se për shkak të ndjekjes së terapisë në shtëpi teksa shkonte tek gjyshi 82-vjeçar u infektua me koronavirus.

    “Teksa bëja dhe terapinë, mjekohesha dhe vetë. Nuk pata komplikacione por mu desh të bëja mjekim njësoj si pacienti. Por punën nuk e lashë asnjë ditë. Nevoja për të ardhura më shumë më detyron të rriskoj. Mundohem të kujdesem duke mbajtur maskë e doreza si dhe veshje për këpucët por është e pashmangshme ndonjëherë. E vetmja frikë e imja është të mos infektoj vajzën”, thotë 47-vjeçarja.

    Dhe kështu, në telefonin e infermieres së “Shefqet Ndroqit”, vijojnë të vijnë mesazhe. Dikush kërkon ndihmë e dikush tjetër shpreh mirënjohjen. Ndonëse terapia e mjekimit kundër Covid është e shtrenjtë dhe jo të gjithë ia dalin të marrin shërbim privat në banesë, infermierët janë sot engjëjt mbrojtës që luftojnë me sëmundjen për të shpëtuar jetë. Qoftë dhe duke rrezikuar të tyren!

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!