Komunikimi i fundit për Covid, Rama: Të prekurit në Tiranë u rritën nga protesta për Teatrin

Kreu i qeverisë ka dalë në një lidhje live në ERTV, ku thotë se do të jetë hera e fundit që do të flasë për koronavirusin.


Në fillim të fjalës së tij, kryeministri hodhi akuza në drejtim të opozitës dhe artistëve e qytetarëve që dolën në protestë kundër prishjes së Teatrit Kombëtar, duke thënë se rritja e numrit të të infektuarve dy ditët e fundit, ka ardhur si pasojë e atyre grumbullimeve.

Pjesë nga fjala e Ramës:

Ky është komunikimi i fundit ekskluzivisht për armikun e padukshëm. Ai nuk ka ikur dhe nuk është zhdukur plotësisht. Numrat në Tiranë nuk po flasin për mirë, pamjet me turma të partive në Tiranë, po vazhdojnë dhe përtej të tretave të karantinës për Teatrin Kombëtar. Ata që po mbledhin firma janë pseudoaktorë dhe vegla politike. Po luhet me zjarrin. Bëni kujdes o njerëz, nuk u vjen asnjë gjë e keqe nga meraku dhe nga kujdesi im. Do i kalojmë dhe nervozizmat. Me jetën nuk luhet, fajin ma lini mua, shani e shfryni sa të doni, rrezikun e virusit mos e përqeshni, është real dhe mund edhe të vras. Unë uroj që të mos detyrohemi që të mbyllemi dhe të mos turpërohemi. Jam shumë në merak dhe po përsëris, pasi mund të harrojmë për virusin që e kemi këtu mes nesh.

Bashkarisht ia kemi dalë faqebardhë në një luftë ku gjërat mund të kishin shkuar për dreq nëse qeveria e populli shqiptar nuk do të kishin qenë në lartësinë e duhur.

Kjo është java e fundit e masave të mbetura kufizuese të lëvizjes. Me përjashtim të aktiviteteve kulturore e sportive, dasmave e funeraleve, ku ende sdo të mund të mblidhen qindra njerëz, tranasporti publik që do të rrijë mbyllur për pak, gjithçka tjetër do jetë e hapur njëlloj si më parë.

Ndërsja sjellja individuale e çdo njeriu, nuk duhet të jetë më si më parë, pasi ndoshta një valë e re mund të jetë e pashmangshme. Siç thonë, vala tjetër do të vijë me të ftohtin dhe ne nuk e kemi në dorë. Por në ardhtë, ne do jemi gati. Tanimë edhe struktura e re spitalore pranë autostradës është ndërtuar me standarde dhe po pajiset me të gjithë logjistikën e nevojshme. Mjekët e infermierët na bënë krenar por edhe profesionistë fantastikë. Më falni por jam i lumtur që në këtë rast iu dha një përgjigje të gjithë dhunuesve që për 30 vite i kanë akuzuar me thashetheme, baltë e akuza e grushte. Falë tyre, Shqipëria fitoi një qytetari të re në Italinë fqinje.

Mirënjohje pa fund edhe padiskutim edhe një borxh i kësaj shumice qeverisëse ndaj mjekëve e infermierëve. Do të bëjmë çmos ta shlyejmë, edhe pse nuk e shlyejmë dot se çfarë bënë ata për shëndetin e njerëzve. Më vjen mirë aq sa ska, që në këtë kohë që tronditi botën që mbylli brenda tërë popujt, neve nuk na gjeti me spitalet e qoftëlargëta të vetëm pak viteve më parë, pa aparatura, pa sisteme ngrohje e deri pa çarçafë… e ta themi deri në fund, pa një banjo të vetme pa rrjedhje të ujërave të bardha, të verdha e të zeza bashkë.