×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Kosovari i grabitjes në Rinas kërkon ballafaqim me të penduarin: Si e njoh familjen Murataj

    Reporteri
    30 Prill 2019 | 18:39

    Kosovari i arrestuar për grabitjen në aeroportin e Rinasit, Ragip Haxhihajdini i njohur edhe me pseudonimin ‘Daja’ është lënë në burg pa afat nga gjykata, ndërsa ka mohuar akuzat.


    Shqiptari nga Kosova u zbulua nga dëshmia e Alkond Bengasit, i penduari që u bë bashkëpunëtor i drejtësisë duke sjellë zbërthimin e plotë të grupit kriminal. Por ‘Daja’ ka mohuar përfshirjen në grabitje dhe ka kërkuar ballafaqim me të penduarin Alkond Bengasi.

    “Skam asnjë lidhje me grabitjen, prej vitesh jetoj në Shqipëri. Familjen Murataj e njoh prej miqësisë që kam me Aleksandër Murataj ndërsa nga të arrestuarit nuk njoh asnjë person. Po të doja të ikja prej një jave kam dëgjuar në lajme pseudonimin tim ‘Daja’ nga Kosova por skam asgjë për të fshehur”, mësohet se ka thënë ai.

    Në fund Gjykata për Krime të Rënda vendosi masën e sigurimit personal të arrestit me burg pa afat ndaj 50-vjeçarit Ragip Haxhihajdini.

    Deri tani janë arrestuar gjashtë persona për grabitjen. Përpos ‘Dajës’ nga Kosova Ragip Haxhiajdini, janë arrestuar edhe pesë persona të tjerë; Oltion Veseli dhe Elton Pikli, të dy nga Kruja dyshohet se janë autorë, ndërsa Alkond Bengasi (i penduar i drejtësisë), Saimir Çela dhe Renaldo Sula akuzohen si bashkëpunëtorë.

    Në kërkim janë; Talo Çela, Klement Çala, Eldi Çala, Marenglen Hoxha, ish-punonjës policie, Aleks Pepa dhe një tjetër. Ndërkohë që koka e grupit, Admir Murataj nga Tropoja, i arratisur në 2013 nga burgu grek u vra gjatë shkëmbimit me policinë.

    Ragip Hajdini, kosovari që u arrestua nën dyshime për përfshirje në grabitjen e Rinasit, ishte dyshuar për përfshirje edhe në rastin e njohur në Kosovë të vjedhjes së arit në dhomën e dëshmive të Policisë në Pejë. Rasti kishte ndodhur në prill të vitit 2012.

    Grabitja në fjalë ndodhi më 9 prill të këtij viti. Gjithçka kishte ndodhur për 4 minuta.

    Grabitësit me një kombi vodhën paratë që po ngarkoheshin në një avion austriak. Në ndjekje të grabitësve, njëri prej tyre u qëllua për vdekje nga Policia Shqiptare.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!