×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Krimi në familje, burri tregon pse i zuri frymën gruas

    Reporteri
    24 Mars 2019 | 14:34

    Një krim i rëndë në familje u shënua mbrëmjen e kësaj të premte, në fshatin Grekan të Gramshit. 32-vjeçari Alvin Htsa, dyshohet se i zuri frymën me jastëk bashkëshortes së tij, nënë e tre fëmijëve, Gurie Hysa.

    Ai akuzohet se e ka vrarë të shoqen pas një debati mes tyre, ndërkohë që priti që ta zinte gjumi, para se ti zinte frymën me jastëk. Gjatë marrjes në pyetje nga policia, Alvini ka treguar se dyshonte se e shoqja e tradhtonte.

    Mësohet se në momentin e krimit në banesë ishte babai i Alvinit, i cili për shkak se ka qenë në gjumë, nuk ka dëgjuar gjë, ndërsa tre fëmijët e çiftit kishin shkuar te gjyshërit nga nëna në Berat.

    Mësohet se ka qenë vetë i riu ai që i ka thënë të atit Asqeri Hysa, se e kishte mbytur Gurien, kur ky i fundit i terrorizuar ka shkuar në dhomën e gjumit dhe e ka gjetur nusen e pajetë.

    Pas kësaj i riu është larguar në shtëpinë e motrës së tij në Lumras të Beratit me gomar, ku i ka treguar se kishte vrarë gruan. E shokuar, kjo e fundit e ka bindur që të dorëzohej në polici.

    Kështu ai është kthyer mbas në banesë, me gomarin që mbanin për punë, me të cilën kishte udhëtuar gjithë natës, duke bërë që policia ta arrestojë mëngjesin e së shtunës.

    Mësohet se i riu nuk ka bërë rezistencë, teksa i ka lënë porosi të atit që të kujdeset për fëmijët.

    Sakaq familja Hysa jetonte në kushte të vështira ekonomike, ndërkohë që 32-vjeçari njihej si problematik, madje e kishte rrahur edhe herë të tjera gruan.

    Tashmë tre fëmijët e çiftit, vajza 12 dhe dy djemtë 9 dhe 5 vjeç, kanë mbetur nën kujdestarinë e gjyshit. /noa.al

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!