Kush është gjyqtarja që liroi anëtarin e bandës së Durrësit, reagon edhe prokuroria e Krujës

Sot Gjykata e Krujës ka liruar nga qelia Endrit Doklen, ish-anëtar i bandës së Durrësit.


Dokle ishte i dënuar përjetë nga Krimet e Rënda për akuzat në lidhje me bandën dhe një dënim të mëvonshëm me 16 vjet për “trafik narkotikësh”.

Ai ishte pjesë e një grupi të burgosurish në burgun e Fushë-Krujës që i bënë kërkesë Ministrisë së Drejtësisë për të mos ndryshuar klasifikimin e burgut nga i sigurisë së lartë, në atë të zakonshme, pasi kjo do të sillte transferimin e tyre larg familjeve, në Peqin, ose Korçë.

Ishte gjyqtarja Enkelejda Hoxha vendosi që të pranonte kërkesën e avokatëve për shuarjen e dënimit të përjetshëm duke ia konvertuar në 25 vite, ndërsa më pas e ka liruar me kusht.

Enkelejda Hoxha është gjyqtarja që ka marrë edhe vendimet shumë të debatuara për lirimin nga burgu të Ilir Pajës dhe Genc Tafilit.

Genc Tafili kreu 17 vite burg që nga arrestimi i tij në vitin 2000 pasi u akuzua si bashkëpunëtor në vrasjen e kolonel Arben Zylylftarit.

Nga gjykata ai është dënuar me 25 vite burg, por kreu vetëm 17 të tilla.

Një tjetër i dënuar u lirua nga burgu i Krujës dhe ky është Ilir Paja, i cili njihet nga të gjithë me nofkën “ufo”.

Ilir Paja është i njohur për arratisjet spektakolare nga burgjet italiane dhe gjermane. Ai është person në kërkim ndërkombëtar, sepse ndaj tij është dhënë dënimi për një vrasje të kryer në Gjermani.

“Vendosi pranimin e kërkesës së kërkuesit Endrit Dokle, ndryshimin e llojit të sigurisë së burgut për kërkuesin Endrit Dokle nga burg i sigurisë së lartë në një burg të sigurisë së zakonshme, ngarkohet drejtoria e përgjithshme e burgjeve Tirane për zbatimin e këtij vendimi, shpenzimet gjyqësore sikur janë bërë, kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në gjykatën e apelit Tiranë sipas ligjit duke filluar nga e nesërmja e shpalljes se këtij vendimi. U shpall në Krujë sot me date 20.09.2019” ishte vendimi i shtatorit të vitit 2019 për Endrit Doklen.

Ndërsa sipas prokurorisë së Krujës lirimi është kryer në shkelje pasi gjykata i ka llogaritur si ditë burgu edhe amnistinë e cila sipas ligjit nuk llogaritet.

Në reagim thuhet se do të ankimojnë vendimin e gjyqtares së Krujës.

Reagimi i plotë:

Njoftim në lidhje me procesin gjyqësor për kërkesën e të dënuarit Endrit Dokle

Gjykata e Shkallës së Parë Krujë me vendimin nr. 6/123 datë 14.01.2020 vendosi : “Pranimin e kërkesës së kërkuesit Endrit Dokle. Lirimin me kusht të kërkuesit Endrit Dokle, i biri i Mensurit dhe i Rahimes datëlindja 31.12.1983, lindur në Kukës dhe banues në Tiranë, duke e vënë në provë për një periudhë prej 5 (pesë) vjetësh.

Në zbatim të nenit 60 pika 9 të Kodit Penal detyrohet Endrit Dokle që gjatë kohës së provës të mos shoqërohet me persona të caktuar kryesisht me të dënuar apo bashkëpunëtorë të veprës penale. Në zbatim të nenit 60 pika 10 e Kodit Penal detyrohet kërkuesi Endrit Dokle që gjatë periudhës së provës të mos zotërojë, mbajë apo përdorë armë. Urdhërohet kërkuesi Endrit Dokle të mbajë kontakte me Shërbimin e Provës”.

Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Krujë ka qenë pjesëmarrëse në këtë proces dhe ka mbajtur qëndrimin e plotë për rrëzimin e kërkesës, me arsyetimin se jo vetëm se nuk plotësohen kushtet ligjore të parashikuara nga neni 64 i Kodit Penal, por edhe se nuk ekzistojnë të provuara arsyet e veçanta që kërkon norma. Gjithashtu prokuroria ka kërkuar përjashtimin e gjyqtares së çështjes me arsyetimin se i njëjti trup gjykues ka dhënë vendime në favor të kërkuesit, kërkesë e cila nuk është pranuar nga gjykata.

Të gjitha kundërshtimet në lidhje me shkeljet procedurale si dhe zbatim të gabuar të ligjit Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Krujë do ti parashtrojë në ankim brenda afatit ligjor.