×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Luljeta Bozo shpjegon a është e rrezikuar Shqipëria nga një tërmet si në Turqi

    Reporteri
    30 Tetor 2020 | 23:22

    Inxhinierja e njohur, Luljeta Bozo e cila me informacionet e saj gjatë kohës kur vendi jonë u prek nga tërmeti, ka qetësuar shumë shqiptarë, duke u bërë një zë edhe më i besueshëm se institucionet shqiptare, ka reaguar edhe për tërmetin e ndodhur në Egje sot.


    Profesoresha gjatë intervistës në Euronews Albania tha se nuk ka vend për panik në vendin tonë.

    “Është një fenomen periodik që ndodh për shkak të reaksioneve të mëdha që çlirojnë energji në brendësi të rruzullit tonë tokësor dhe që gjejnë momentin për t’u çliruar në periudha të caktuara kohore”, u shpreh inxhinierja.

    “Ka 5 vjet që ka filluar të çlirohet kjo energji, që nga jugu i Italisë dhe Spanjë pastaj ka vazhduar në Greqi, erdhi këtu në Shqipëri që morëm goditjen në shtator dhe nëntor, dhe tani vazhdon poshtë në Turqi, aty ku është kufiri ndarës mes pllakës afrikane dhe pllakës euro-aziatike”, shtoi znj. Bozo.

    Profesoresha theksoi se, qytetarët e vendit tonë nuk duhet të tremben, duke thënë se tërmeti është fenomen gjeofizik dhe jo virus. “Frikë nuk duhet të kenë njerëzit pasi panë këtë ngjarje dhe tërmetin 2.8 magnitudë që kanë parë në vendin tonë. Krijohet ky paniku që meqë ra në Turqi mund të bjerë dhe këtu. Nuk është si COVID-19 që përhapet. Nuk është virus është fenomen fizik i cili ka kohën e vet”, tha ajo.

    Inxhinierja duke iu referuar studimeve bërë dhe një parashikim të përafërt se, kur Shqipëria është e rrezikuar nga një tjetër tërmet i fortë si ai i viti të kaluar. “Nga studimi i kryer pas tërmetit të 1979 në Mal të Zi, 6.9 magnitudë u bë një studim mund të përsëritet në një periudhë kohore 35-40 vjet dhe faktikisht vajti 40 vjet fiks. Kjo do të thotë se një tërmet tjetër si ky i nëntorit do të kemi pas 35-40 vjetësh me afërsi”, tha ajo.

    Nga ana tjetër, znj. Bozo shtoi se, “njerëzit duhet të jenë të përgatitur për dy gjëra, e para jemi zonë sizmike dhe do të kemi gjithmonë tërmet, jo kaq të fuqishme sepse që të çlirohet kjo energji do një periudhë kohore që të akumulohet. E dyta, ka shumë rëndësi që të dimë ku të ndërtojmë dhe si të ndërtojmë. Tërmetin nuk e kemi në dorë, ndërtimet po”.

    Ajo vlerësoi organizimin e ekipeve të kërkim shpëtimit në Turqi pasi në më pak se, 7 orë kanë arritur që të nxjerrin nga rrënojat rreth 500 persona të shpëtuar. Duke komentuar pamjet që vijnë nga Izmiri, znj. Bozo tha se shembja e tillë e menjëhershme mund të ketë ardhur për shkak të deformimit të jashtëzakonshëm të truallit ose mund të pasur problem në projektimin e ndërtesave.

    “Kur energjia çlirohet afër sipërfaqes zona që dëmtohet më shumë është afër epiqendrës së tërmetit. Kurse ku shkon në shumë thellësi dëmtohen më shumë apo larg epiqendrës”, u shpreh znj. Bozo.

    “Në tërmetin e 26 nëntorit ne do të kishim gjysmën e dëmeve nëse do të ishin ndjekur rregullat teknike në projektim dhe zbatim dhe në kontrollin e cilësisë materiale. U bën një shkelje flagrante e këtyre rregullave. Mendoj se është rregulluar në njëfarë mase por ka ende nevojë”, përfundoi inxhinierja.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!