×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Manastirliu beson se Certifikata e Vaksinimit do të njihet brenda shtatorit, por ka shumë pikëpyetje

    Reporteri
    09 Shtator 2021 | 9:51

    Pasaportat e vaksinimit të lëshuara nga autoritetet shqiptare për personat që kanë injektuar dy dozat antiCOVID, nuk janë të vlefshme për të udhëtuar në një nga vendet e Bashkimit Europian, duke detyruar udhëtarët që të paraqesin përgjigjen e testit PCR apo të qëndrojnë të karantinuar.


    Por, edhe pse nuk foli me siguri, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, tha se kanë përfunduar procedurat me Bashkimin Europian për integrimin e sistemeve jo vetëm për kalimet në kufi, por edhe për aksesin ndaj shërbimeve në vendet e unionit.

    “Tashmë kemi përfunduar të gjithë procedurat me Bashkimin Europian për të integruar sistemet, jo vetëm për kalimin e kufirit, por gjithashtu edhe për aksesin ndaj shërbimit në Europë, të njihet ky sistem, të njihet ‘Green Pass’, besoj brenda shtatorit”, tha ministrja.

    VAKSINAT

    Por pikëpyetje ka edhe për vaksinat që do të njihen. Në vendin tonë janë administruar 4 lloje vaksinash: “Pfizer”, “AstraZeneca”, “Sputnik” dhe “Sinovac”. Për dy të fundit nuk është dhënë akoma aprovimi nga Agjencia Europiane e Barnave. Duke qenë vaksina të pacertifikuara mbetet ende i paqartë qëndrimi që Bashkimi Europian do të mbajë ndaj të vaksinuarve me vaksinën kineze dhe atë ruse. Pra, nëse do të njihen certifikatat e vaksinimit me “Sinovac” dhe “Sputnik” apo do të krijohen diferencime.

    PROCESI

    Deri më tani, sipas të dhënave zyrtare, janë aplikuar mbi 1.5 milionë doza vaksine, por më pak se gjysma prej tyre kanë injektuar të dyja dozat. “Prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 1,553,626 doza të vaksinës ndaj COVID-19. Prej tyre 681,510 qytetarë i kanë kryer të dyja dozat e vaksinës anti-COVID. Ditën e martë, datë 7 shtator, janë kryer 14,394 vaksinime në të gjithë vendin. Muaji shtator do të jetë i hapur për vaksinimin, të gjithë qytetarët mbi 18 vjeç mund të paraqiten me kartën e identitetit në qendrën e tyre shëndetësore, në poliklinika ose në qendrën më të afërt të vaksinimit, për të kryer vaksinën anti-COVID”, apelojnë autoritetet. Deri tani kanë mbërritur në vendin tonë 1,982,130 vaksina anti-COVID, ndërsa brenda muajit dhjetor numri i vaksinave të mbërritura në vendin tonë sipas ministres Manasturliu do të jetë mbi 3 milionë.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!