×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Meta: Taksa në Rrugën e Kombit duhet të largohet, bezdisëse që kosovarët të presin në kufi

    Reporteri
    28 Maj 2019 | 21:59

    Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka thënë se Shqipëria me Kosovën duhet të shikojnë rrugët e bashkëpunimit, e jo të vendosin taksa reciproke.


    Ai ka pohuar se gjithmonë ka qenë kundër taksës së Rrugës së Kombit.

    “E kam theksuar dhe e theksoj. Edhe sikur asnjë lekë të mos paguaj njeri, boll fakti që duhet të ndaloj aty dikush që udhëton, nga ana psikologjike është bezdisëse. Aq më tepër që bëhet fjalë për një trafik të madh në sezonet pranverë, verë dhe vjeshtë”.

    “Të gjendet çdo mënyrë për t’u larguar taksa në Rrugën e Kombit. Ka qenë qëndrimi i imi edhe në të kaluarën dhe do të jetë i tillë edhe në të ardhmen”, tha Meta në Dukagjin.

    Kujtojmë se kjo çështje ngjalli jo pak reagime të mëdha tek qytetarët shqiptarë të cilët i vunë zjarrin sporteleve duke i lënë ato plotësisht të shkatërruara.

    Ndërsa edhe kosovarët reaguan duke e vlerësuar të papërballueshëm çmimin e vendosur. Tarifa për automjetet nga Kosova do të jetë 660 lekë (5 euro).

    Për kalimtarët e shpeshtë është premtuar zbritje prej 10 deri në 20 për qind në muaj.
    Edhe motoçiklistët (klasi 1) do të paguajnë 2.50 euro, mini-busët dhe makinat 5 euro (klasi 2), autobusët (klasi 3) 11.30 euro, kamionët e vegjël (klasi 4) 16.30 euro dhe kamionët e mëdhenj (klasi 5) do të paguajnë 22.60 euro.

    Rruga e Kombit, autostrada që lidh Shqipërinë me Kosovën, filloi të ndërtohej në vitin 2006 dhe përfundoi në vitin 2010, me ndërtimin e Tunelit të Kalimashit.

    Kjo autostradë njihet si një nga projektet më madhore infrastrukturore që ka intensifikuar komunikimin mes Kosovës dhe Shqipërisë, por kostoja e kësaj rruge, e paguar me buxhetet shtetërore të të dyja vendeve, vazhdon të jetë shënjestër e kritikave për barrën buxhetore që e ka shkaktuar.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!