Një ton kanabis në Lazarat, kush është 53-vjeçari i ekstraduar nga Greqia

Një 53-vjeçar është ekstraduar ditën e sotme në vendin tonë pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafikim të lëndëve narkotike.


Çimi Brahimi, 53 vjeç, banues në Gjirokastër ishte shpallur në kërkim në bazë të vendimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda Tiranë, e cila i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.

Kur Policia e Shtetit ndërhyri në Lazarat në vitin 2014, për të asgjësuar drogën dhe arrestuar personat e rrezikshëm që ishin fshehur aty, Brahimit iu gjet një sasi e madhe kanabisi. Policia sekuestroi atë kohë, një sasi prej 1233.6 kg kanabis, por Brahimi arriti t’i shpëtonte policisë.

Brahimi në bashkëpunim me shtetas të tjerë, bënte furnizimin me lëndë narkotike në Lazarat, me qëllim trafikimi drejt Italisë.

Sakaq, policia bën me dije se në kuadër të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit janë marrë informacione nga Interpol Athina, se ky shtetas po vuante dënimin në një burg në Greqi, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, caktuar nga Gjykata e Janinës, me vendimin e datës 14.09.2018. Në përfundim të vuajtjes së dënimit u bë arrestimi provizor i shtetasit Ç. B., me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë.

Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Athinën u bë i mundur ekstradimi i tij nga Greqia drejt vendit tonë.