×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Opozita rikthehet para parlamentit, synohet bllokimi i të gjitha hyrjeve

    Reporteri
    21 Mars 2019 | 7:49

    Vetëm 5 ditë pasi u largua me gaz lotsjellës që aty, opozita do të rikthehet sërish sot para Kuvendit të Shqipërisë, për të protestuar kundër atij që ajo e quan “parlamenti i krimit”.

    Nisja e protestës është njoftuar në orën 9:30, vetëm 30 minuta para se të fillojë seanca e radhës parlamentare, ku 3 deputetë të tjerë pritet të bëjnë betimin dhe të marrin mandatin.

    Synimi i opozitës është që të bëjë të mundur bllokimin e punimeve të seancës dhe mbi të gjitha të diskreditojë publikisht emrat e rinj që nuk iu bindën urdhrit të “djegies” së mandateve.

    Sipas burimeve nga Partia Demokratike, protesta do të jetë e organizuar në 6 pikat hyrëse të godinës së parlamentit, të cilat janë si më poshtë:

    1. Hyrja kryesore para Parlamentit
    2. Hyrja nga qendra tregtare Toptani
    3. Hyrja nga ish-selia e Partisë Demokratike
    4. Hyrja nga rruga tek Bashkia (drejt Torre Drinit)
    5. Hyrja nga Pedonalja, Ministria e Brendshme
    6. Hyrja nga unaza, pranë selisë aktuale të PD-së

    Ky është aksioni i radhës i opozitës së bashkuar, që ka filluar më 16 shkurt, me protestën që kulmoi me sulmin ndaj godinës së kryeministrisë dhe më pas u shoqërua me atë që u quajt “djegia” e mandateve të deputetëve.

    Që prej asaj kohe, opozita dhe mbështetësit e saj janë mbledhur në mënyrë të vazhdueshme para parlamentit për të protestuar, ndërsa nuk kanë munguar rastet kur është përdorur gaz lotsjellës pr shpërndarjen e turmës.

    Më i fundit ishte më 16 Mars, kur opozita e bashkuar kishte njoftuar një protestë para kryeministrisë, por në mënyrë të befasishme ndërroi skenar dhe u zhvendos drejt parlamentit, prej ku turma u shpërnda vetëm pas ndërhyrjes me gaz lotsjellës dhe makina ujë-hedhëse.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!