×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Organizator e ekzekutor, krimet për të cilat akuzohet djali i këshilltarit bashkiak

    Reporteri
    27 Prill 2019 | 12:55

    Policia e Shkodrës ka zbardhur vrasjen e dyfishtë të vëllezërve Astrit dhe Ibrahim Bilali, e ndodhur rreth një muaj më parë, më 30 mars.


    Burime zyrtare thanë se janë arrestuar dy shtetas dhe janë shpallur në kërkim dy të tjerë, si autorë dhe bashkëpunëtorë të vrasjes së dy vëllezërve Bilali.

    Policia në njoftimin e saj bën të ditur se ka finalizuar operacionin e koduar “Livadhe”, duke përdorur metoda speciale të hetimit, ndërsa është bashkëpunuar me Drejtorinë për Krime të Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale dhe Prokurorinë e Shkodrës.

    21768212_990655377741994_4151343470654403861_n
    Myslym Rama

    Policia e Shkodrës ka vënë në pranga shtetasin Arsen Stojku, 29 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Mjedë të Vaut të Dejës, i dyshuar për veprën penale “Vrasja me Paramendim e kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.

    arsen
    Arsen Stojku

    Është arrestuar edhe shtetasi Mislim Rama, 23 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Mjedë të Vaut të Dejës, i dyshuar për veprën penale “Vrasja me Paramendim kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”. Policia, përveç dy të ndaluarve ka shpallur në kërkim shtetasin Ibrahim Lici, 26 vjeç, si i dyshuar kryesor për veprën penale të vrasjes së dy vëllezërve Bilali si dhe shtetasin D.B., 29 vjeç për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”. Ibrahim Lici është djali i anëtarit të këshillit bashkiak Mustaf Lici, një familje kjo e përfshirë në një përplasje që vijon prej kohësh me grupin tjetër “Bajri” në qytetin e Shkodrës.

    HETIMI

    Në njoftimin e saj, Policia e Shkodrës tregon se vijon operacioni për gjetjen dhe kapjen e dy shtetasve të shpallur në kërkim. Pas hetimeve intensive të kryera në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, rezulton se shtetasit e lartpërmendur kanë planifikuar, organizuar dhe kryer në bashkëpunim vrasjen e Astrit dhe Ibrahim Bilalit. Si rezultat i punës së vazhdueshme intensive me metodat speciale të hetimit, nga grupi i posaçëm hetimor, u bë sigurimi i provave materiale dhe shkencore, të cilat çuan në dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje. Gjatë veprimeve hetimore u bë sekuestrimi i një automjeti, tri aparateve telefonike celulare, të cilët janë përdorur nga autorët gjatë kryerjes së veprimeve të tyre. Policia vazhdon punën për hedhjen dritë mbi motivin e kësaj ngjarjeje dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në vrasjen e vëllezërve Bilali.

    IDENTIFIKIMI

    Menjëherë pas vrasjes së dy vëllezërve Bilali në lagjen “Kiras” në Shkodër, pak metra nga vendi i ngjarjes Policia gjeti një makinë të djegur që dyshohej se ishte përdorur nga autorët për të kryer vrasjen e dy vëllezërve Bilali. Menjëherë në vendin ku po digjej makina, shkoi një zjarrfikëse e Repartit Zjarrfikës të Shkodrës, duke bërë shuarjen e flakëve. Makina e dyshuar se është përdorur për vrasjen e dyfishtë është djegur në pjesën e jashtme, ndërsa kishte shpëtuar pa u djegur përbrenda. Kjo ishte një ndihmesë e madhe për Policinë. Efektivët gjetën në atë mjet gjurmë të ndryshme.

    Menjëherë u dërguan në Tiranë për të bërë ekspertizën e nevojshme dhe për të arritur që përmes këtyre gjurmëve të gjenden autorët. Pas një punë voluminoze, Policia është ndihmuar nga këto gjurmë për të arritur tek autorët e dyshuar. Po ashtu gjatë gjithë kësaj kohe, prej gati një muaji, ka pasur përgjime të ndryshme telefonike dhe ambientale që kanë krijuar dyshime të arsyeshme për Policinë mbi autorët e mundshëm në vrasjen e Astrit dhe Ibrahim Bilalit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!