×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Patozi: Me moshapjen e listave, Rama ka blinduar pushtetin e tij dhe të Bashës

    Reporteri
    27 Shtator 2020 | 23:13

    Astrit Patozi, koordinatori i Bindjes Demokratike, në një status në Facebook shkruan se, “me ruajtjen e listës së mbyllur, praktikisht Edi Rama e ka blinduar pushtetin e vet dhe të Lulzim Bashës, duke i dhënë edhe më shumë kredite secilës parti dhe secilit kryetar, për t’u konsideruar si qendrat e vetme të gravitacionit politik në Shqipëri”.


    Sipas Patozit mazhoranca është e vendosur për të mbajtur të mbyllura listat.

    “Me sa po kuptohet “Rilindja” është e vendosur për ta mbajtur në këmbë formulën e ndyrë të mbajtjes mbyllur të listës, duke bërë sikur e ka hapur, thjesht që të përligjë rënien e koalicioneve në formën klasike, siç kanë qenë deri sot. Ndërkohë që do të shtiret këto ditë sikur po sakrifikon shumë, duke pranuar pragun kombëtar 1 përqind, si një lëshim të madh për opozitën në parlament. Por e ka kot, sepse nuk do të gënjejë askënd, si brenda, ashtu edhe jashtë sallës së Kuvendit, si brenda, ashtu edhe jashtë Shqipërisë. Dhe aq më pak do t’ia dijë njeri për nder gjoja kompromisin për uljen e pragut, sepse e kupton edhe bufi që është taktikë djallëzore për të shpërqendruar vëmendjen e publikut nga problemi real”, shkruan Patozi.

    Kodi zgjedhor i propozuar nga PS, sipas Patozit, është një dhuratë nga kampi i “armikut” për Lulzim Bashën.

    “Lulzim Basha nuk ke pse ta fajësosh sot, sepse formalisht nuk ka ndonjë rol për të luajtur. As ka paraqitur ofertë dhe, as ka vota për të dhënë që ai palacollëk të kalojë. Edhe pse mund të jetë duke fërkuar duart në heshtje, duke pritur me padurim ditën që “Rilindja” ta miratojë në parlament draftin, fiks ashtu siç e ka shkruar dhe e ka paraqitur Damian Gjiknuri”.

    https://www.facebook.com/Astrit.Patozi/photos/a.1451089961617569/3506989942694217/?type=3&__xts__%5B0%5D=68.ARBNnWdTxVpvDTy_dyMeSlKzDZRLOmiYnP3VgPlYoGjm9P-L0mSDXgiP4DTQfdV3hcC2_j5k0RRNfuL2jDLgpgZj1R0WIut8CxU_tR1v-tT4FQ-hpc8EzdLMPwD1oI8sYFe8Qelg3qQFw4SUa_2u_PS_zZI40MkR5tLx_73PXXQhgLu4I2iSVLE2uDEQQxw2LqV5AZC3YLijpbnxk1Us7TnRDVSVXmKbUihwMdBrzWUC3kPirVya64PC1s0Zx3n1dEiBcLGV6vfTAqsnrFIsSQ5KmcsX0C5IQiLQYi-w0j4WXH5CTngUu2NhndGVG-Kc-yiOfmvaYzatofH97J-lUE0dRw&__tn__=-R

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!