Rama merr avionin personal të Erdogan, pamjet e reja me ngjyrat kuqezi

Raportet mes Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe Presidentit turk Reccep Tayyib Erdogan janë mjaft të ngushta.


Madje, ato duket se forcohen nga dita në ditë nga marrëveshjet mes dy qeverive.

Një ndër projektet kryesore është ai i “Air Albania”, kompani e cila ka mundur të ngrejë në qiell tre avionë pas vonesave të shumta në fillim.

Sëfundmi, qeveria turke ka vendosur që t’i japë qeverisë shqiptare në përdorim avionin e përdorur nga vetë Erdogani deri një vit më parë, shkruan abcnews.al.

Siç raporton “AirportHaber”, avioni “Airbus A319”, në pronësi të qeverisë turke i është dhënë qeverisë shqiptare. Avioni në fjalë ndodhet tani në Vjenë dhe i ka ndërruar ngjyrat nga bardh e kuq të flamurit turk në kuqezi.

Avioni është marrë nga qeveria turke në vitin 2005 dhe është përdorur nga vetë Erdogani deri sa ai mori dhuratë nga familja mbretërore e Katarit një avion luksoz “Boeing 747” duke bërë që të mos përdorë më avionin më të vogël “Airbus A319”, i cili sëfundmi i kalon Shqipërisë.

Më parë, avioni Airbus A319 është përdorur nga Forcat Ajrore të Italisë.

Deri më tani nuk ka ende të dhëna se mbi çfarë kushtesh është dhënë avioni dhe për çfarë do të përdoret nga qeveria shqiptare, megjithatë fakt është sa sa herë kemi marrë “dhurata” të tilla, Shqipëria është detyruar të japë diçka mbrapsht.