×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Shqipëria mund të humb statusin e vendit të sigur nga Covid, nesër merret vendimi

    Reporteri
    07 Shtator 2021 | 13:26

    Shqipëria dhe Serbia rrezikojnë të humbin statusin e vendeve të sigurta nga pandemia e koronavirusit.


    Radio Evropa e Lirë ka mësuar nga burimet e saj brenda BE-së se, Presidenca sllovene e Bashkimit Evropian i ka përfshirë këto vende në mesin e shteteve që rrezikojnë të hiqen nga lista e vendeve të sigurta për udhëtimet në territorin e Bashkimit Evropian.

    Për këtë çështje do të diskutohet të mërkurën (8 shtator) nga ana e ambasadorëve të vendeve të BE-së.

    Nëse ata vendosin pro kësaj mase, atëherë qytetarët e këtyre dy vendeve nuk do të jenë më në gjendje të udhëtojnë pa kufizime në vendet anëtare të Bashkimit Evropian.

    BE-ja e përditëson çdo dy javë listën e vendeve të sigurta dhe atyre jo të sigurta.

    Vendimet e saj i bazon në të dhënat për numrin e të infektuarve me koronavirus për kokë banori, dhe Shqipëria, bashkë me Serbinë, kanë shënuar përkeqësim të situatës epidemiologjike.

    Më 30 gusht, BE-ja zyrtarisht hoqi Kosovën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut nga lista e “vendeve të sigurta”, për shkak të përkeqësimit të situatës me pandeminë e COVID-19 në këto vende.

    Pavarësisht vendimit, Këshilli i BE-së tha se shtetet anëtare mund të vendosin rregulla të veçanta se si do t’i trajtojnë njerëzit e vaksinuar nga këto vende.

    Një shtet mund të përfshihet në listën e vendeve të sigurta të BE-së nëse regjistron 75 raste pozitive të koronavirusit për 100,000 banorë në 14 ditët e fundit.

    Çdo shifër më e lartë, i vendos ato në kategorinë e vendeve jo të sigurta.

    Kufizimet e udhëtimit për shtetasit e të ashtuquajturve vende të treta u shpallën nga BE-ja në pranverën e vitit 2020./REL

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!