×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Tresteniku, fshati i Korçës i shndërruar në pikën hyrëse të emigrantëve nga Lindja e Mesme

    Reporteri
    24 Tetor 2020 | 16:53

    Ulja e temperaturave duket se nuk e ka frenuar aspak fluksin e klandestinëve që vijnë nga Lindja e Mesme dhe që nëpërmjet Shqipërisë synojnë vendet e Bashkimit Europian. Shumë kapen, të tjerë arrijnë të kalojnë, shumë të tjerë trafikohen, por pikënisja e aventurës së tyre në Shqipëri mbetet fshati Trestenik në Korçë, aty ku banorët prej kohësh bashkëjetojnë paqësisht me klandestinët.


    Kufiri juglindor mes Shqipërisë dhe Greqisë është bërë prej kohësh shtegu i shpresës për qindra, në mos mijëra refugjatë që vijnë nga vendet e Lindjes së Mesme për të kaluar drejt vendeve të Europës.

    Janë të shumta shtigjet të përdorura nga emigrantët, ndërkohë që kufiri është pothuajse i blinduar nga forcat e policisë kufitare dhe FRONTEX-it. Me javë dhe me muaj duke ecur në këmbë mes maleve, ata mbërrijnë në Shqipëri me shpresën për të vijuar me tej.

    Por natyrisht një pjesë nuk ia dalin, pasi kapen nga policia. “Kam udhëtuar një muaj nga Turqia në Greqi. Vendi im, Ildib në Siri, është shumë i rrezikshëm”, thotë njëri prej tyre.

    “Ka patur edhe që nuk kishin lekë dhe i kemi dhënë”, thonë banorët e fshatit
    Ka edhe emigrantë që arrijnë t’i shpëtojnë kontrolleve të policisë. “Vij nga Palestina, kam udhëtuar me vëllezërit dhe dua të shkoj në Holandë”, thotë një tjetër.

    Në fshatin Trestenik banorët janë mësuar tashmë me emigrantët, ata shprehen se janë paqësorë dhe nuk ngacmojnë, në disa raste kërkojnë ushqim dhe ujë të cilat banorët sipas mundësive ua japin. Edhe në dyqanin e fshatit gjen emigrantë që blejnë njëlloj si banorët e fshatit dhe madje në jo pak raste blejnë edhe me çmime nën kosto.

    “Ka pasur edhe që nuk kishin lekë dhe i kemi dhënë”, thonë banorët e fshatit.

    Fluksi i madh i këtyre refugjatëve ka bërë që në Shqipëri të aktivizohen disa individë dhe grupe që tentojnë trafikimin e tyre nëpërmjet territorit shqiptar drejt Malit të Zi apo Kosovës. Dhjetëra refugjatë janë kapur në tentativë trafikimi, ashtu sikurse janë me dhjetëra edhe shtetasit shqiptarë të arrestuar për këtë aktivitet të paligjshëm.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!