×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Vranë fqinjin për kanalin e ujit, dorëzohet në polici një nga autorët

    Reporteri
    14 Prill 2021 | 13:03

    Iu është dorëzuar uniformave blu Altin Mera, një nga autorët e vrasjes së 50-vjeçarit, Xhetan Konesha, mesditën e djeshme në Dibër.


    Pas një sherri për motive të dobëta dy vëllezër, Muhamet Mera dhe Altin Mera kanë qëlluar me armë zjarri automatik fqinjin e tyre shtetasin Xhetan Konesha, 50 vjeç, i cili nuk mundi t’iu shpëtojë plagëve të marra. Mësohet se ‘mollë sherri’ mes dy familjeve ishte bërë kanali i vaditjes, pasi në muajin gusht dy vëllezërit i kishin prerë tubat e vaditjes Xhetan Koneshës.

    Altin Mera, qëndronte prej ditës së djeshme i fshehur në një banesë të braktisur në fshatin Lishan dhe në pamundësi për t’u larguar, mëngjesin e sotëm ka dalë nga banesa dhe është vetëdorëzuar para shërbimeve policore që po kryenin kontroll në atë zonë.

    “Si rezultat i kontrollit të pandërprerë dhe krehjes së zonës nga strukturat për Hetimin e Krimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, në bashkëpunim me forcën e posaçme “Shqiponjat” dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër, për kapjen e bashkautorit të vrasjes së 50-vjeçarit, ngjarje e ndodhur ditën e djeshme, në orët e para të mëngjesit të sotëm, shtetasi A. M., në pamundësi për të qëndruar i fshehur dhe për t’u larguar, iu është vetëdorëzuar forcave të Policisë”, njofton policia.

    Ngjarja e rëndë ndodhi në fshatin Luzni të Dibrës. Policia menjëherë pas ngjarjes arrestoi njërin nga vëllezërit Muhamet Merën si dhe sekuestroi armën e zjarrit tip automatik, me të cilën dyshohet se është kryer vrasja.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!