Zbardhet dinamika e grabitjes, si katër “komandot” thyen sigurinë e Rinasit

Zbardhet dinamika e grabitjes së bujshme në Aeroportin e Rinasit. Katër grabitësit të cilët sot kanë arritur të vjedhin një sasi të konsiderueshme parash në Rinas, kanë arritur të futen në pistën me anë të një fugoni me simbolet e “Hetimit Tatimor”.


Pasi kanë arritur të futen në ambientet e brendshme, duke përdorur derën e zjarrfikëseve, burime të “Panorama” bëjë të ditur se katër autorët të veshur si forca komando dhe me maska, kanë arritur të grabisin paratë që po dërgoheshin për t’u imbarkuar në avion.

Burime bëjnë të ditur se paratë po transportoheshin drejt avionit, ndërkohë që janë sulmuar nga hajdutët e maskuar.

Pasi morën thasët me para, këta të fundit kanë përdorur mjetin e Tatimeve për të çarë një derë me hekura e cila ndodhet në fundin e pistës së Aeroportit.

Në momentet që grabitësit janë larguar nga Rinasi, në ndjekjen e tyre janë vënë grupi i gatshëm i FNSH-së dhe Policisë që ndodhet për patrullimet rutinë në Aeroport.

Ndjekja

Gjatë tentativës së arratisjes ka patur shkëmbim zjarri mes policisë dhe grabitësve.

Ndërkohë që njëri prej tyre në tentativë për të goditur forcat e rendit ka mbetur i vrarë me një plumb në kokë.

Pas disa manovrash, grabitësit janë larguar në një rrugë dytësore, ku kanë braktisur makinën e parë që përdorën për të hyrë në Rinas.

Mësohet se trupin e grabitësit që mbeti i vrarë, hajdutët e tjerë e kanë lënë në automjetin që përdorën për të kryer grabitjen. Ndërkohë që tre grabitësit e tjerë kanë përdorur një makinë të dytë për t’i shpëtuar ndjekjes së policisë.

Forcat e rendit e gjetën makinë e “Tatimorëve” e cila u përdor për grabitjen. Ajo ishte e braktisur në një rrugë dytësore e cila është e njohur në zonë si rruga e “Tahirëve”.

Ndërkohë që makina e dytë është gjetur disa minuta më vonë e djegur poshtë Urës së Tapizës.

Grabitësi i vrarë

Burime të “Panorama” bëjnë të ditur se po punohet për të identifikuar grabitësin e vrarë sot gjatë shkëmbimit të zjarrit.

Grabitësi gjatë ndjekjes nga policia dhe të shtënave ka marrë një plumb në kokë.

Sipas forcave të rendit personi nuk është identifikuar ende pasi ka të çara në kafkë dhe për rrjedhojë nuk është bërë ende i mundur zbulimi i identiteti të tij./panorama/