×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Zbardhet vetëvrasja e 16-vjeçares, kërcënimet dhe shantazhi për videot private

    Reporteri
    08 Maj 2019 | 16:06

    Zbardhet historia tragjike e vetëvrasjes së 16 vjeçares Adela Caci, e cila i dha fund jetës pas shantazheve me video private nga i dashuri i saj, njëkohësisht shok në të njëjtën shkollë.


    Dy adoleshentët kishin prej dy vitesh që ishin të lidhur, por në dy muajt e fundit lidhja e tyre kishte pësuar luhatje deri në shantazh e kërcënime nga ana e 16 vjeçarit për përfitime financiare. Nga grupi hetimor është mësuar se në telefonin e djalit janë gjetur 120 mesazhe të shkëmbyera mes të rinjve, ku ndër të tjera janë zbuluar edhe disa mesazhe kërcënuese e shantazhuese.

    Në ditët e fundit, djali i kërkonte Adelës që t’i jepte lekë për të mos publikuar videot private.

    Në dy muajt e fundit 16-vjeçari me iniciale D. K i ka kërkuar 4 herë shuma nga 5 deri në 10 mijë lekë të vjetra, ose në të kundërt videot do tua tregonte edhe shokëve të tjerë të shkollës. Gjithashtu ai i ka kërkuar që të shiste varësen dhe byrzylykun e floririt dhe paratë t’ia jepte atij.

    Nga grupi hetimor është mësuar se vajza komunikonte nëpërmjet telefonit të babait, në të cilin janë gjetur 120 mesazhe të shkëmbyera mes të rinjve, ku ndër të tjera janë zbuluar edhe disa mesazhe kërcënuese e shantazhuese.

    Sa i përket ngjarjes mamaja e 16 vjeçarit të arrestuar tregon një tjetër version. Ajo konfirmon se adoleshentët kishin 2 vite të lidhur, por kurrsesi djali i saj të ketë shantazhuar vajzën. Ajo tregon më tej, se në ditët e fundit babai i vajzës ka shkuar tre herë në shtëpinë e tyre, për tu siguruar nëse djali i kishte fshirë mesazhet që kishte në telefon, madje duke e kërcënuar edhe me jetë.

    Por në momentin kur babai i Adelës ishte siguruar se adoleshenti kishte fshirë të gjithë mesazhet, atij i vjen një telefonatë ku i kërkojnë që me urgjencë të shkojë në spital pasi një familjar i tij kishte probleme, por pa i treguar që e bija 16 vjeçare e ndrydhur nga presionet dhe sedra kishte ndërmarrë aktin tragjik. Në kushte anonimati një prej oficerëve që po ndjek këtë dosje, tashmë të transferuar në Vlorë në sektorin për të mitur, tregon se në telefon janë gjetur prova që faktojnë akuzën e “përndjekjes”, akuzë për të cilën adoleshenti pritet të dalë para Gjykatës për masë sigurie.

    Shokët dhe shoqet e shkollës: Adela ishte e urtë, e shihte botën me ngjyra 

    Yll i bukur thonë ata që e njihnin. Dhe në fakt e tillë ishte. Adela Caci, vetëm 16 vjeç ka prekur zemrat jo vetëm të familjes së saj por edhe mbarë opinionit, me gjestin e rëndë të vetëhelmimit me fostoksinë, pas kërcënimeve dhe përndjekjes nga një bashkëmoshatar, nxënës në të njëjtën shkollë me të në Berat, në gjimnazin profesional.

    Dje Adelës ju dha lamtumira nga familja, pasi humbi jetën nga konsumimi i fostoksinës. Historia që lë pas është mjaft e trishtë. Një vajzë vetëm 16-vjeçare e larguar nga kjo botë në kulmin e rinisë, kur jeta e saj në fakt sapo kishte nisur. Një 16-vjeçar, D.K, e kishte kërcënuar vajzën me mesazhe dhe telefonata të vazhdueshme në telefon duke i thënë se do t’i publikonte video të sajën që ai e kishte siguruar.

    Adela Caci dhe djali 16-vjecar i arrestuar

    E reja, një vajzë mjaft e urtë dhe paqësore siç shokët e saj të shkollës e përshkruajnë, e ndjerë nën presionin e djalit, ka vendosur të ndërmarrë aktin ekstrem duke pirë fostoksinë. Nga Spitali i Beratit ajo u transportua në QSUT në Tiranë, ku edhe ndërroi jetë. Burime nga ky spital thanë për Shqiptarja.com se përjetimet e vetë mjekëve ishin mjaft të rëndë.

    E kishin shumë të vështirë të mos i rridhnin lot, kur panë gjendjen e rëndë të vajzës vetëm 16-vjeçare. Të njëjtat burime thanë se ajo erdhi në gjendje kome, në orët e para të mëngjesit të dy ditëve më parë, dhe ndërroi jetë shumë pak orë më pas.

    Familjarë të shumtë ishin në ambientet e spitalit, ku dhimbjen që thuajse i plaste shpirtin mund ta shprehnin vetëm me të qarë e britma për jetën e humbur. Ashtu, të lënduar dhe të hidhëruar nga kjo ngjarje, në fjalët e tyre nuk kanë munguar edhe tronditja dhe dënimi i gjestit të rëndë të djalit që kishte kërcënuar vajzën e tyre.

    Prindërit nuk kishin kuptuar asgjë nga tronditja që po kalonte vajza e tyre. Edhe pse një ditë para aktit ekstrem u ka treguar se ndihej e shqetësuar nga shoku i shkollës. Gjithçka u kuptua nga telefoni i vajzës pasi ajo ndërroi jetë. Aty kishte mesazhe të shumta nga 16-vjeçari, i cilu u arrestua menjëherë nga policia.

    Por si njiheshin dy të rinjtë në shkollë?

    Në shkollën e mesme profesionale “Kristo Isak”, askush nga stafi mësimor si dhe nga drejtuesit e shkollës nuk pranojnë që të flasin për mediat.

    Madje prania e gazetarëve ka irrituar nëndrejtorin e kësaj shkolle, që ka kryer manovra me makinë për t’ju larguar kamerave.

    Teksa nxënësit porositeshin nga roja e shkollës që të mos flisnin për mediat pasi ndaj tyre mund të kishte edhe penalizime, disa të rinj kanë treguar se ishin në dijeni për ngjarjen. Ata tregojnë se bashkëmoshatari i tyre i arrestuar njihej si nxënës problematik, ndërsa të kundërtën thonë për Adela Cacin.

    Nxënës të shkollës profesionale në Berat, thonë se Adela ishte një vajzë mjaft e heshtur, ama në fytyrën e saj thuajse ëngjellore nuk mungonte buzëqeshja dhe reflektimi në sy se jeta për të ishte me ngjyra.

    “E njihnim si vajzë shkolle, nuk e dinim që kishte probleme. Ai ishte një djalë në shkollë, nuk e njihja e kam pasur edhe në 9-vjecare. Adela ishte një vajzë e lumtur në pamjen e jashtme, nuk krijonte asnjëherë probleme. E shikonte botën me ngjyra. Nuk shfaqte asnjë problem apo shqetësim nga pamja e jashtme. Është rasti i dytë që ndodh, por nuk është se kemi pasur të tilla probleme”, shprehet një nxënëse e shkollës.

    Vetë djali ishte problematik. Me mungesa në orët mësimore dhe i shoqëruar me grupe të rinjsh që shpesh të japin drejtim në rrugën e gabuar.

    “Viti i dytë. Disa njerëz thonë për dicka tjetër, disa të tjerë për dicka tjetër. Djali i mirë nuk ishte, mesa rrija unë. Nuk e di…Ishte e papritur kur e morëm vesh, na erdhi keq. Djali nuk vinte në shkollë. Kur vajti në vit të parë njohu shoqëri të gabuar. Adela ishte vajzë shumë e urtë. Nuk e kishim menduar të vriste veten”, tregon një prej nxënëseve të shkollës për gazetarin e Report Tv, Aldo Kozarja.

    Adoleshentja ishte banuese në fshatin Duhanas, ndërsa shkollën e bënte në gjimnazin profesional në qytetin e Beratit, ku ishte nxënëse në vitin e parë. Në të njëjtin gjimnaz është nxënës edhe përndjekësi i saj, D.K, tashmë i arrestuar.

    Adela la një brengë të madhe në zemër familjarëve , dy prindërve Haxhi e Entuela si dhe dy motrave Luna e Paula.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!