×
  • Sport
  • Sport

    18 humbjet e italianëve nën gjykimin e Cakirit

    Reporteri
    29 Shtator 2021 | 15:22

    Pas ndeshjes në Ligën e Kampionëve ndërmjet Milanit dhe Atleticos, “La Gazzetta dello Sport” i ka kujtuar 18 humbjet e italianëve dhe shumë polemika që janë shfaqur kur gjyqtar kryesor i ndeshjes ka qenë Cuneyt Cakir.


    Gjyqtari turk u kritikua nga mediat italiane dhe njohësit e futbollit, pasi Milani humbi në “San Siro” të martën mbrëma.

    Fabio Capello tha se Cakir “e prishi ndeshjen”, kurse disa lojtarë të “kuqezinjve” reaguan në rrjetet sociale.

    Cakir ka qenë gjyqtar kryesor në 32 ndeshje ku janë përfshirë skuadrat italiane dhe shteti i Italisë. 18 nga to i kanë humbur italianët. Franck Kessie u ndëshkua me të kuq në pjesën e parë kundër Atleticos, ndërsa Luis Suarez e vulosi fitoren pas penalltisë së shënuar në kohën shtesë.

    Vendimi i prekjes me dorë u diskutua pas ballafaqimit dhe Capello ka shtuar se gjyqtari turk nuk mori fare ndihmën e VAR-it.

    Një tjetër humbje e diskutueshme ishte ajo e Italisë 1:0 nga Suedia në nëntor të vitit 2017, që ishte e rëndësishme për plejofin e Kupës së Botës.

    Cakir ishte gjyqtari kryesor dhe gazeta shkruan se Ola Toivonen duhej të përjashtohej nga loja.

    Presidenti i Federatës së Futbollit të Italisë, Carlo Tavecchio, është ankuar në referim dhe ka thënë se Cakir “i ka ndëshkuar lojtarët e gabuar”.

    Edhe Napoli ka hasur në vështirësi me gjyqtarin turk në shtatë ndeshje. E fundit ishte në gusht të vitit 2020 kundër Barcelonës.

    Gjykimi i Cakirit sipas gazetës ka ndikuar edhe në ndeshjen kualifikuese në Ligën e Kampionëve kundër Athletic Bilbaos në sezonin 2014/15, kur skuadra spanjolle avancoi me fitoren 3:1 në shtëpi. Kritika ka edhe për finalen e Ligës së Kampionëve të vitit 2015 ndërmjet Juventusit dhe Barcelonës.

    “La Gazzetta dello Sport” shkruan se ishte faull i qartë i Dani Alvesit në Paul Pogban. Italianët shkruajnë se do të duhej të kishte penallti për Juventusin kur rezultati ishte 1:1, kurse në fund Barcelona e mori trofeun pas fitores 3:1, duke e shënuar golin e tretë në minutën e 97.

    Roma pësoi disfatë 3:1 nga Porto në 1/8 e finales në Ligën e Kampionëve në edicionin 2018/19, kur Patrik Schick meritoi penallti. “Giallorossët” humbën 4:3 me rezultat të përgjithshëm dhe u eliminuan nga gara.

    Interi i ka humbur tri ndeshje nga po aq të zhvilluara në Ligën e Kampionëve me gjyqtarin turk.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!