×
  • Sport
  • Sport

    Aftësia që nuk e kanë shumë lojtarë: Milot Rashica mund ta vendosë i vetëm ndeshjen me një aksion

    Reporteri
    16 Gusht 2019 | 15:53

    Trajneri i Werder Bremenit, Florian Kohfeldt pret kontribut të madh nga ylli kosovar edhe sezonin e ardhshëm.


    Werder Bremeni pret një sezon tjetër të jashtëzakonshëm nga Milot Rashica.

    Futbollisti kosovar në pjesën e dytë të edicionit të fundit bëri paraqitje të shkëlqyeshme, ndërsa më pas u zgjodh lojtari më i mirë i sezonit.

    Tash, trajneri i Werder Bremenit, Florian Kohfeldt beson se 23 vjeçari e ka përpara një vit tjetër të madh.

    Ai është i bindur se “Raketa”, siç e quan ai, do të jetë përsëri protagonist në ekipin gjelbër e bardhë.

    “Miloti është zhvilluar shumë. Në përgatitje kemi mundur ta shohim se ka diçka ndryshe dhe të veçantë në lojën e tij”, ka thënë Kohfeldt.

    Trajneri gjerman shton se Rashica e ka mësuar mjaft mirë gjuhën gjermane, faktor të cilin e konsideron si mjaft të rëndësishëm.

    Miloti është integruar tërësisht në skuadrën nga Bundesliga dhe nga ai tifozët presin gjëra të mëdha.

    “Mendoj se ai është i kënaqur dhe në gjendje të mirë me disponim. Kjo është ajo që dua ta shoh në fushë. Miloti mund ta vendosë i vetëm lojën me një aksion. Kjo është një aftësi që nuk e kanë shumë lojtarë. Sjellja e tij në fazën defanzive është jashtëzakonisht e mirë për një lojtar ofanziv”, nënvizoi Kohfeldt.

    Rashica i kishte realizuar 9 gola dhe ka dhuruar 5 asistime me Werderin në Bundesliga.

    Ai kishte eksploduar në pjesën e dytë të sezonit.

    Ndërkohë, trajneri i tij është optimist se Rashicës do t’i shkojë mirë sezoni 2019/2020 që nga fillimi dhe se futbollisti kosovar do t’i përmirësojë statistikat e tij.

    “Këtë sezon do ta kalojë një sezon jashtëzakonisht të rëndësishëm për ne”, përfundoi Kohfeldt.

    Werderi do ta nisë sezonin e ri të Bundesligës të shtunën me ndeshjen ndaj Fortuna Dusseldorfit, e cila fillon në orën 15:30.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!