Dy muaj më parë, Diogo Jota fitoi Premier League me Liverpoolin. Më pak se dy javë më parë, ai u martua me partneren e tij prej kohësh, Rute Cardoso, nënën e tre fëmijëve të tij.
Sot, bota e futbollit është në zi pasi Jota dhe vëllai i tij, André Silva, vdiqën në një aksident me makinë herët të enjten në mëngjes në Spanjë.
Çfarë dihet deri më tani për aksidentin tragjik:
Aksidenti ndodhi në rrugën A-52 në Zamora, në veriperëndim të Spanjës dhe u shkaktua nga një “gomë e shpërthyer gjatë tejkalimit”, sipas Guardia Civil të Spanjës. Automjeti në të cilin udhëtonin Jota dhe vëllai i tij doli nga rruga dhe më pas u përfshi nga flakët, thanë zyrtarët.
Autoritetet identifikuan mbetjet bazuar në dokumentet e gjetura në vendin e aksidentit, si dhe në targën e makinës. Testet e mëtejshme mjeko-ligjore në një morg në Zamora konfirmuan identitetin e vëllezërve.
Për hetim, mbetjet u zhvendosën në qytetin e afërt të Puebla de Sanabria.
Sulmuesi 28-vjeçar Jota shijoi pesë sezone të suksesshme me Liverpoolin, duke shënuar 65 gola dhe duke fituar tre trofe të mëdhenj. Silva ishte gjithashtu një futbollist profesionist, së fundmi me Futebol Clube de Penafiel në Liga Portugal 2, divizioni i dytë i vendit.
Mesazhe ngushëllimi nga bota e futbollit dhe më gjerë kanë vërshuar gjatë gjithë ditës, përfshirë nga lojtarë si legjenda portugeze Cristiano Ronaldo, ish-trajneri i Liverpoolit Jürgen Klopp, legjenda e NBA-së LeBron James dhe Princi William i Mbretërisë së Bashkuar.
Homazhe pritet të zhvillohen të premten në qytetin e lindjes së vëllezërve, São Cosme në Gondomar, Portugali.
Liverpool FC, klubi në të cilin Diogo Jota kaloi pesë vitet e fundit të karrierës së tij si futbollist, ka hapur libra ngushëllimi fizikë dhe dixhitalë për tifozët që të lënë mesazhe mbështetjeje dhe vlerësimi për sulmuesin dhe vëllain e tij.
Libri fizik është tashmë i disponueshëm në Anfield që mbështetësit ta nënshkruajnë dhe do të jetë i hapur të premten dhe gjatë gjithë fundjavës. Libri online është gjithashtu i disponueshëm për t’u nënshkruar në faqen e internetit të klubit.
Liverpuli gjithashtu konfirmoi se flamujt në Anfield po ulen në gjysmë shtizë dhe se dyqanet, turnetë dhe muzetë e klubit do të jenë të mbyllura deri të hënën. Stafit të klubit i është ofruar gjithashtu mbështetje emocionale.
Varrimi i yllit të Liverpoolit, Diogo Jota dhe vëllait të tij, do të mbahet sot në orën 16:00.
Ceremonia do të zhvillohet në São Cosme, në qytetin e tij të lindjes, Porto, në veri të Portugalisë. /Reporteri.net/