×
  • Sport
  • Sport

    Amir Rrahmani në formacionin e javës në Serie A, pas paraqitjes së shkëlqyer kundër Milanit

    Reporteri
    20 Dhjetor 2021 | 14:03

    Amir Rrahmani është përzgjedhur në formacionin më të mirë të javës në Serie A nga WhoScored.com, uebsajti më i madh në botë për statistika të futbollit.

    Kapiteni i Kosovës Rrahmani luajti rol të rëndësishëm në fitoren e Napolit 1:0 kundër Milanit të dielën në San Siro, në përballjen e drejtpërdrejt të dy skuadrave në luftë për titull në Serie A, raporton Gazeta Express.

    Qendërmbrojtësi prishtinas ishte kyç në mbrojtjen e Napolit dhe i ndihmuar nga Juan Jesus u përkujdes që Davide Ospina të mos pësonte gol.

    Në mungesë të Kalidou Koulibaly, Rrahmani ishte komandanti i mbrojtjes napolitane dhe disa ndërhyrje të tij ndaj dyshes Zlatan Ibrahimovic dhe Olivier Giroud ishin vendimtare.

    Whoscored.com i ka dhënë 27-vjeçarit notën 8.1 dhe e ka përzgjedhur në një mbrojtje me katër, përkrah Juan Cuadrados së Juventusit dhe dyshes së Interit Danilo D’Ambroasio dhe Ivan Perisic, në formacionin e javës së 18-të.

    Rrahmani i ka bërë 15 paraqitje deri tani këtë sezon në Serie A, duke kontribuuar edhe me dy gola.

    Kosovari ia zuri vendin në formacionin titullar Kostas Manolasit dhe e detyroi atë të kthehej në Greqi së fundmi, duke e formuar një partneritet të pathyeshëm me Kalidou Koulibaly.

    Napoli kishte lëshuar pikë në katër prej pesë ndeshjeve të fundit, duke i humbur tri prej tyre, prandaj fitorja ndaj rivalit direkt për titull ishte me patjetër për skuadrën e Luciano Spallettit.

    Këto tri pikët nënkuptojnë se Napoli tani e kalon Milanin në vendin e dytë në tabelën e Serie A me pikë të barabarta, 39, por ngel katër pikë mbrapa liderit dhe kampionit në fuqi Inter.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!